Sport
E hëna e futbollit në Supersport, spikat Burnley-Tottenham!


“Monday Night” në ekranin e Supersport nuk është vetëm Milan-Roma. E hëna përveç Serie A, sjell edhe tre sfida shumë interesante në ekranin tonë nga Premier League, Bundesliga dhe La Liga. Tottenhami i Jose Mourinhos në orën 21:00 do të zbresë në Turf Moor për të sfiduar Burnley-in në ndeshjen që do të mbyllë javën e 6-të. Me një fitore gjelat e Londrës do të ngjiten nga vendi i 11-të ku ndodhen aktualisht në të 5-in, dhe nëse nuk do të ishte për ato dy harakiri që Tottenham bëri në sfidat shtëpiake ndaj Newcastle dhe West Ham, tashmë do të kishte shansin të merrte kreun e Premier League që për momentin mbahet nga Everton.
Më herët në orën 20:30 nëpërmjet kanalit Eurosport 2 do të keni mundësi të ndiqni sfidën mes Bayer Leverkusen dhe Augsburg ndeshje që do të mbyllë javën e 5-të të Bundesligas. Aspirinat pas tre barazimesh radhazi do të kërkojnë të rikthehen te fitorja në kampionat teksa vinë në këtë sfidë me moralin e lartë pas atij suksesi tenistik ndaj Nice. Nga La Liga ndërkohë në ekranin e Supersport do të keni mundësi të ndiqni takimin mes Levantes dhe Celta Vigos, një ndeshje mes dy skuadrave në vështirësi dhe që kërkojnë t’i largohen fundit të renditjes.





















