Kosovë
Blici serb nënkupton që shqiptarët do të hakmerren ndaj serbëve pas heqjes së flamurit nga prifti

Gazeta serbe Blic vlerëson që veprimi i priftit serb në Koshare – kur e kishte hequr flamurin shqiptar – do t’i shkaktojë humbje më së shumti serbëve të Kosovës.
Blic vlerëson që videoja e krijuar për të tërhequr vëmendje, edhe e përmbushi qëllimin e saj kryesor.
Ajo u bë virale, aktori i tij kryesor përfitoi, por në fakt kleriku iu bëri më shumë dëm se sa dobi serbëve të Kosovës.
“Të thuhet e vërteta, nuk ka asnjë përfitim nga kjo lëvizje për serbët nga Kosova, dhe përfituesi i vetëm është aktori i saj në popullaritetin e menjëhershëm që i solli atij. Fatura për atë popullaritet do të paguhet nga serbët të cilët qëndruan në Kosovë, përkundër gjithçkaje”, thuhet në reagimin e gazetës serbe “Blic”.
Po sot Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janic, ka thënë se prifti që e ka hequr flamurin kombëtar nga Kosharja nuk ka lidhje me kishën.
Janic përmes Facebook-ut ka thënë se distancohen nga këto veprimtari që rrezikojnë marrëdhëniet midis komuniteteve etnike dhe fetare.
“Për të gjitha viktimat ne lutemi rregullisht në tempuj, veçanërisht për të rinjtë që vdiqën në luftë”, ka shkruar ai.
Këto sjellje ai i ka quajtur të papërgjegjshme.




















