Kosovë
Asha: Këto janë katër mesazhet e Lajçakut gjatë vizitës në Kosovë

Demush Asha, pjesë e shoqërisë civile që u takua me Lajçak tha se ishte dëshmitar i një koordinimi gjithnjë e më të madh që vjen nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai zbuloi katër mesazhe që Lajçak përcolli gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Së pari ai përmendi se qëllimi përfundimtar i dialogut është normalizimi i plotë i marrëdhënieve dhe zgjidhja e gjithë çështjeve të hapura.
Së dyti Asha tha se dialogu nën ombrellën e BE-së garanton një marrëveshje e cila ruan integritetin territorial të Kosovës e cila kontribuon në stabilitetin rajonal dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Mesazhi i tij i tretë ishte që mjeti apo instrumenti përmes të cilit synohet të arrihet deri te normalizimi i plotë i marrëdhënieve është marrëveshja gjithëpërfshirëse e ligjërisht e obligueshme”,- tha Demush Asha për euronews.al.
Së fundmi në mesazhin e fundit te Lajçak rezulton se dialogu është pa alternativë dhe arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është kriter kyç në procesin integrues të dy vendeve.
Në këtë kontekst sipas Asha, asosacioni është element kyç i marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.


















