Kosovë
Aderimi i ri në Vetëvendosje mban tri vende pune

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti derisa po qëndron në opozitë dhe larg institucioneve qeveritare, ai po merret tani më shumë me partinë dhe organizmin e saj.
Kurti sot ka paraqitur një përforcim të ri në Vetëvendosje, Sami Hajrullahu është ardhja e re në këtë parti opozitare.
Hajrullahu si aderim i ri në Vetëvendosje, mësohet se punon në Ministrinë e Drejtësisë, punon si ekspert gjyqësor i psikologjisë pranë Gjykatës themelore në Gjilan dhe udhëheq me një Organizatë joqeveritare e cila merret me mirëqenien psiko-edukative të fëmijëve dhe të rinjve.
Lajmin për aderimin e ri e ka bërë të ditur Kurti së bashku me Arben Vitinë.
“Sami Hajrullahu ka diplomuar në Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik të UP-së, aty pastaj ka bërë edhe Master për Psikologji Klinike kurse tani është në procedurë të regjistrimit të PhD-së në Universitetin e Friburgut në Zvicër. Jeton në Prishtinë, punon në Ministrinë e Drejtësisë si zyrtar për rehabilitim dhe reintegrim të njerëzve që kanë rënë në konflikt me ligjin. Është ekspert gjyqësor i psikologjisë pranë Gjykatës themelore në Gjilan. Udhëheq një OJQ e cila merret me mirëqenien psiko-edukative të fëmijëve dhe të rinjve. Me prejardhje është nga Zhegra e Gjilanit, ndërkaq në Zvicër e Gjermani e ka familjen e gjerë. Me Arben Vitinë i dëshiruam mirëseardhje në VETËVENDOSJE!. Qytetarëve dhe shtetit tonë iu nevojitet një qeveri e Lëvizjes e cila pas zgjedhjeve të reja ka dijen e përvojën, vullnetin dhe guximin për ndryshimet e filluara në pranverën 2020.”, ka shkruar Kurti.




















