Kosovë
Nexhmedin Spahiu për Marrëveshjen: Fitues doli Trumpi, kundërshtimi i Kurtit “i pavlerë”

Marrëveshja në Washington prodhoi mosmarrëveshje në Prishtinë. Vetëvendosje dhe PDK, dy partitë opozitare, kanë kundërshtuar disa prej pikave të saj – por partia më e madhe opozitare, prej pardje (8 shtator) e ka rritur zërin kundërshtues duke u përplasur madje me zyrtarët e lartë amerikanë.
Albin Kurti nga Vetëvendosje – që është edhe njeriu më i votuar në Kosovë – deklaroi se sapo të vinte në pushtet nuk do të zbatonte marrëveshjen e arritur që u nënshkrua me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë nga kryeministri aktual Avdullah Hoti.
Kjo deklaratë çoi në reagimin e ashpër të Emisarit Special prë dialogun, Richard Grenellit, i cili për herë të parë u shpreh hapur se Kurti kishte qenë kundër çdo administrate amerikanenë 20 vitet e fundit, raporton Periskopi.

Por, cili është mendimi i analistit Nexhmedin Spahiu në lidhje me këtë marrëveshje?
Ai deklaroi se fituesi i parë i saj ishte Trump, e më pas Amerika, e më pas Serbia dhe fare në fund Kosova – që sipas tij fitoi njohjen nga Izraeli por me një çmim shumë të lartë.
Megjatë, Spahiu ka shtuar se nuk ka pasë rrugëdalje tjetër pos nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë, të cilën e ka cilësuar madje “asht” (kockë, lëmoshë).
“Në Washington është bërë një Pazar, ku fitoren më të madhe e korri Donald Trump – që fitoi zemrat e lobit hebre, lob vendimtar në atë se kush e fiton garën për President.” – tha ai për Periskopi.

“Përfitues i dytë është Amerika – që mori premtimin e Serbisë për të larguar rusët dhe kinezët. Përfitues i tretë është Izraeli që fitoi dy ambasada në Jerusalem. Përfitues i katërt është Serbia – që përfitoi tregun në Ballkanin Perëndimor, dmth zotimin amerikan se do të jetë baba i Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë, duke mos i dhënë Kosovës njohjen njëherë për njëherë (më vonë do të jetë e detyruar). Ndërsa përfituesi i pestë është Kosova që fitoi njohjen nga Izraeli me çmim tejet të lartë.” – shtoi ai.
Spahiu reagimin e Kurtit për marrëveshjen e quan “diçka të pavlerë”.
Ai ka thënë se Kurti s’është dashur t’i acaronte amerikanët sa ishte kryeministër.
“Reagimi i Albin Kurtit nuk ka ndonjë vlerë. E mira do të ishte që ai të mos i acaronte amerikanët sa ishte kryeministër. Sot, ai do të ishte kryeministër dhe “ashti” në Washington për Kosovën do të ishte më i madh, e ndoshta edhe me ndonjë cikël mish,” – deklaroi ai.
Në të vërtetë, Kosova në Marrëveshjen e Washingtonit përveç njohjes nga Izraeli ka përfituar lehtësirat ekonomike që sjell Mini-Schengeni Ballkanik, pezullimin e çnjohjeve nga vendet e tjera të botës, zotimin për investime serioze ekonomike etj. /Periskopi




















