Kosovë
“Liga Unike e Basketbollit, hap i vogël por i rëndësishëm drejt bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë”

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka komentuar formimin e Ligës së përbashkët të basketbollit Kosovë-Shqipëri (Liga Unike e Basketbollit).
Murati ka thënë se formimi i kësaj lige është një hap i vogël i unifikimit të sportit shqiptar, si dhe hap i rëndësishëm për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, shkruan Periskopi.
“Një hap i vogël por i rëndësishëm në drejtimin e projektit të madh të bashkimit të pashmangshëm të Kosovës dhe Shqipërisë.”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka thënë se projekte të tilla duhe të shtrohen edhe në sporte të tjera, ku sipas tij kulmi do të ishte krijimi i një lige të përbashkët në futboll.
Shkrimi i tij i plotë:
Krijimi i Ligës së përbashkët të basketbollit Kosovë-Shqipëri (Liga Unike e Basketbollit) është një hap i vogël në drejtimin e duhur të unifikimit të sportit shqiptar dhe rrjedhimisht krijimit të kushteve për t’u bërë konkurrues në nivel evropian e botëror. Paralajmërimi se projekte të tilla do të shtrohen edhe në sportet e tjera dhe në nivelin e rinisë shkollore është gjithashtu lajm i jashtëzakonshëm. Në planin sportiv sigurisht kulmi do të ishte krijimi i një lige të përbashkët në futboll. Këto projekte sportive nuk ka dyshim se do të kenë edhe ndikimin e tyre ekonomik e politik. Një hap i vogël por i rëndësishëm në drejtimin e projektit të madh të bashkimit të pashmangshëm të Kosovës dhe Shqipërisë.
Përgëzime Federata Shqiptare e Futbollit dhe Basketball Federation of Kosovo për nismën dhe për realizimin e këtij projekti. Keni bërë një punë të rëndësishme në funksion të sportit por edhe të kombit.

















