Connect with us

Kosovë

Kosova me shkallën më të ulët të grave të punësuara në Evropë

Publikuar

Një përqindje e madhe e grave që janë në moshë pune, janë jo-aktive në tregun e punës. Kjo e bën Kosovën të renditet në vendet me shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së grave në Evropë.

Në Anketën e Fuqisë Punëtore të vitit 2019 thuhet se vetëm një në pesë femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri të pestat e meshkujve në moshë pune.

Papunësia sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës përfshin 34.4% të grave, ndërsa joaktiviteti i tyre përfshin 78.9% të popullsisë së grave në vend.
Sipas këtij raporti, 30.9% të femrave me shkollim terciar në vitin 2019 kanë qenë të papuna.
Pengesat që shfaqen në përfshirjen e tyre në tregun e punës janë të ndryshme, duke filluar nga detyrimet familjare.

Nga hulumtimi ‘’Drejt fuqizimit- Faktorët që ndikojnë në vendimet ekonomike të grave në Kosovë’’ të kryer nga Instituti Riinvest, gratë e konsiderojnë pengesë mungesën e kohës për të punuar për shkak të detyrimeve familjare dhe mungesën e mundësive për punë me kohë të pjesshme.

Duke dashur të mbetet anonime,zonja M.Isufi e cila ka përfunduar shkollimin terciar, është shprehur se përkushtimi ndaj familjes ia ka pamundësuar të kërkojë punë.
”Fëmijët janë të vegjël dhe kanë nevojë për mua, prandaj nuk kam kërkuar punë”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të sondazhit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit për përdorimin e kohës, gratë në Kosovë kalojnë rreth 7 orë në ditë aktivitete si përgatitja e ushqimit, mirëmbajtja dhe riparimet në shtëpi, krahasuar me burrat që kalojnë rreth 1 orë e 10 minuta.

Mundësia për punë është zbehur më shumë këta muaj, me gjendjen e krijuar nga Pandemia COVID-19.

”Për gratë, të cilat janë jashtë tregut të punës, krizat ekonomike si kjo e tashmja veçse e vështirësojnë edhe më shumë situatën e tyre të vështirë,” thotë ekonomisti Alban Zogaj.
”Si rezultat i rënies ekonomike dhe shkurtimit të vendeve të punës, mundësia që ato të kyqen në tregun e punës vështirësohet shumë”, thekson Zogaj.

Ndikimin e COVID-19 tek gratë joaktive e sheh shqetësuese edhe sociologu Egzon Rexhepi.
”Pandemia ka pasur ndikim negativ në aspektin e gjithë përfshirjes së grave joaktive në shoqëri, në rrjedhat e punës, shoqërimit, edukimit dhe aktivizimit që të mund të bëhen shembuj për ndryshim. Ato kanë qenë jo aktive, por karantinimi i ka bërë më aktive në aspektin negativ, sepse gjithë përgjegjësia e obligimeve shtëpiake rritet dhe shtohet puna si barrë vetëm e tyre e jo e anëtarëve tjerë të shtëpisë,” është shprehur Rexhepi.

Është e nevojshme që pas pandemisë këto gra të aktivizohen në aspektin social dhe të punësimit.

Ashtu siç rekomandonInstituti për Demokraci dhe Zhvillim, gratë duhet të marrin pjesë në trajnime dhe edukim profesional për t’u punësuar.

Të jenë pjesë e punëtorive për të bërë identifikimin e nevojave sipas specifikave dhe kërkesave të tregut në vend.
Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji që do t’i ofrojë mbështetjen e nevojshme grave për t’u aktivizuar.
Duhet të krijohen kushte të mirëfillta për zhvillim të ndërmarrësisë dhe mbështetjes për vetëpunësim.
Gjithashtu, janë të nevojshme punëtoritë ku ngritja e vetëdijes për një jetë aktive është e domosdoshme, për të çrrënjosur disa nga shabllonet kulturore, ku në ciklin e patriarkalizmit vet gratë i përjetësojnë stereotipet që shoqëria i ka për to./A.Hajdari

 

NA NDIQ NË FACEBOOK