Kosovë
Ismaili: Vetëvendosje po e ndajnë shoqërinë duke përdorur vlerat e luftës dhe UÇK-së

Deputetja e PDK’së, Besa Ismaili ka reaguar ndaj deklaratave të Vetëvendosjes dhe zyrtarëve të tyre lidhur me zhvillimet e fundit për Gjykatën Speciale dhe luftën e UÇK’së.
Ismaili ka shkruar se VV po e ndan shoqërinë duke i përdorur vlerat e luftës se UÇK’së, duke i minimizuar vlerat e tyre, shkruan Periskopi.
Sipas saj Vetëvendosje po përdorë disa emra të caktuar të ish ushtarëve të UÇK’së për të ndarë në dysh shoqërinë.
“Ata kanë një qëllim, shfrytëzimin e emrave të caktuar për të ndarë në dysh shoqërinë.
Kush ka luftuar dhe është me ne, në subjektin tonë, është çlirimtar, kush ka luftuar dhe nuk është në subjektin tonë, këndon si bilbil. Edhe diskurse përçmuese për çlirimtarët.”, ka shkruar ajo.
Shkrimi i saj i plotë:
Pse përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje po e ndajnë shoqërinë duke përdorur vlerat e luftës dhe UÇK-së?
Me shqetësim të madh po i ndjek deklarimet e krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje! të cilët vlerat sublime të rezistencës së armatosur po i minimizojnë aq shumë, deri në krijimin e margjinave partiake të tyre. Ata kanë një qëllim, shfrytëzimin e emrave të caktuar për të ndarë në dysh shoqërinë.
Kush ka luftuar dhe është me ne, në subjektin tonë, është çlirimtar, kush ka luftuar dhe nuk është në subjektin tonë, këndon si bilbil. Edhe diskurse përçmuese për çlirimtarët.
Më kujtohet mjaft mirë kur eksponentë të caktuar të këtij subjekti, çlirimtarëve ua dëshironin “udhëtimet e shpejta” për në Hagë, midis parlamentit, në kohën kur nuk ishte ngritur asnjë aktakuzë.
Kjo nuk iu mjafton me kaq. Përpara kësaj, shumë individë brenda LVV-së kanë ligjëruar politikisht për një shkëputje të detyruar të çlirimtarëve nga politika, për të mohuar kështu vlerat dhe sakrificat e tyre, duke e përvetësuar dhe monopolizuar kauzën, pjesë e të cilës direkt shumica dërmuese e të cilëve as s’kanë qenë kurrë. Njësoj siç po tentojnë të bëjnë tash, që vetëm ne jemi për vlerat e luftës.
Edhe analistë pro-millosheviqian cituan për të njëllosur. Sot po citojnë këdo për të minimizuar. Sa ishin në pushtet, nuk nisën asnjë përpjekje institucionale për t’i mbrojtur vlerat! Asnjë. Por vlerat nuk tjetërsohen, UÇK ka transformuar rrugën kolektive të shqiptarëve, nga robëria drejt lirisë. Është pjesë e historisë botërore të luftërave çlirimtare. Këtë histori nuk mundet ta tjetërsojë asnjë piskamë politike, asnjë çjerrje politike, sado të zëshme që janë.





















