Federata e Futbollit e Kosovës ka kohë që i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e edicionit të ri, i cili do të nisë sot me ndeshjen hapëse ndërmjet Trepçës’89 dhe Arbërisë, që zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Në fakt, Ministria e Shëndetësisë,  e ka aprovuar sot kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, e cila do të jetë si test për të parë se si po operohet dhe sa po respektohen masat strikte në luftën kundër Covid-19, ndërkohë që pritet vendimi i Qeverisë, në mënyrë që më pas ecuria e kampionatit të rrjedhë normalisht sipas kalendarit të garave.

FFK po punon vazhdimisht me institucionet tjera që së shpejti të merret edhe vendimi për rikthimin e një numri të caktuar të tifozëve në stadiume.

Ndërkohë, Komisioni i Garave ka aprovuar kërkesën e FC Drita që ndeshjen e javës së parë kundër Llapit dhe ndeshjen e javës së dytë kundër Trepçës’89 t’i shtyjë për më vonë për shkak të pjesëmarrjes në garat e Ligës së Evropës.

Po ashtu, Komisioni i Garave ka vendosur ta shtyjë fillimin e kampionatit të ri në Ligën e Parë për shkak se disa klube nuk i kanë kryer ende kontrollimet mjekësore. Në rast se klubet nuk i kryejnë kontrollimet mjekësore deri javën tjetër, atëherë ndeshjet do t’i humbin me rezultat zyrtar. /Lajmi.net/