Kosovë
Edhe më shumë të vdekur në luftimet e ashpra mes Armenisë dhe Azerbaixhanit

Luftimet mes forcave armene dhe azerbaixhanase për rajonin e kontestuar kanë hyrë në ditën e dytë sot, me raportimet për 15 ushtarë më shumë të vrarë dhe me të dyja palët që akuzojnë njëra tjetrën për përdorimin e artilerisë së rëndë.
Qindra të tjerë raportohet të jenë plagosur në përplasjet më të ashpra që nga viti 2016 në Kaukazin Jugor, një rajon që ofron rrugë kyçe tranzitore për gaz dhe naftë në tregun ndërkombëtar.
Tensionet mes dy shteteve janë rritur për muaj më radhë në rajonin e Nagorno-Karabakhut, një enklavë që ligjërisht konsiderohet pjesë e Azerbaixhanit por që është qeverisur nga armenët etnikë që kur shpalli pavarësinë në vitin 1991.
Ministri i mbrojtjes së Armenisë raportoi për luftimet që u zhvilluan në natën e së dieles, ndërkaq pala tjetër pretendonte se forcat armene po e bombardonin qytetin e Terterit, raporton Guardian, përkthen Periskopi.
Presidenti i Azerbaixhanit shpalli ligjin e mobilizimit pjesor ushtarak.
Turqia ka lidhje të forta ekonomike dhe kulturore me Azerbaixhanin dhe ka kërcënuar se nuk do të qëndrojë asnjanëse në këtë luftë. Rusia, një tjetër fuqi rajonale, tradicionalisht është më e afërt me Armeninë por që ka krijuar lidhje edhe me elitat e Azerbaixhanit në vitet e fundit. /Periskopi






















