Connect with us

Kosovë

Dyshim abuzimi: Agjencia kosovare nuk paguan anketuesit që nga dhjetori, ata flasin për Periskopin

Publikuar

Agjencia hulumtuese “Kantar TNS Kosovo” del se nuk ka paguar disa prej punëtorëve të saj që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar – megjithëse pretendon të jetë më e mira në vend. Punëtorët që nuk kanë marrë pagesat i janë drejtuar Periskopit për të shprehur zhgënjimin e tyre me situatën në fjalë.

Këta punëtorë – që kanë dashur të mbeten anonimë – kanë punuar në rajonin e Prishtinës si anketues në tema me rëndësi publike në hulumtimet e agjencisë në fjalë.

Punëtorët thonë se megjithëse kanë punuar qe 1 vit në këtë kompani, puna e tyre si anketues nuk iu është paguar qysh prej muajit dhjetor. Ata pretendojnë madje se nuk është zbatuar as kontrata të cilën e kanë nënshkruar dhe secilit prej tyre kompania i detyrohet me më shumë se 1 mijë euro.

“Kemi shkuar shumë herë që të bisedojmë në zyre te ta. Shumicën e herëve na kanë refuzu. (Edhe kur jemi taku), prapë pa sukses.” – thotë njëri nga punëtorët, raporton Periskopi.

Punëtorët kanë bërë anketime në lidhje me çështjen e të bërit biznes, shikueshmërinë e mediave, kalimin e numrave të Z-mobile në Vala, për diabetin dhe për nevojën e internetit në fshatrat e Kosovës.

Periskopi ka kontaktuar drejtoreshën e Kantar TNS Index Kosovo, znj.Vlora Basha Berisha për të marrë një shpjegim për rastin por deri tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kjo kompani pretendon se është agjencia hulumtuese më e avancuar teknologjikisht në Kosovë megjithëse del se e ka fshirë edhe faqen e saj në Facebook. Po ashtu, kjo kompani del se nuk ka fare aktualisht adresë të përveçme në Internet. /Periskopi. 

NA NDIQ NË FACEBOOK