Kosovë
Analist Maliqi: E trajtuam mbështetjen e Amerikës me përçmim, mund të ketë darka tjera festive në Serbi

Analisti i mirënjohur kosovar, Agon Maliqi, ka reaguar pas darkës festive që u zhvillua në Beograd mes zyrtarëve të qeverisë serbe dhe zyrtarëve të qeverisë amerikane.
Ai ka thënë që Kosova e ka trajtuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me përçmim dhe kryeneçësi që nga viti 2014 e këndej dhe ka paralajmëruar relaksim të mëtejmë raportesh mes vendit tonë më të mirë mik dhe vendit tonë armik.
“Superfuqitë botërore veprojnë dhe shtrijnë ndikimin e tyre përmes partneriteteve strategjike me fuqi rajonale.” – ka deklaruar z.Maliqi, përcjell Periskopi.
Ai ka deklaruar se tashmë ka ndryshim sa i përket partneritetit të natyrshëm të Kosovës me ShBA-të.
Lexojeni statustin e plotë të tij:
Superfuqitë botërore veprojnë dhe e shtrijnë ndikimin e tyre përmes partneriteteve strategjike me fuqi rajonale. Shqiptarët në shtetet e ndryshme të rajonit për 30 vite ishin partneri më i natyrshëm i SHBA, për shkak të përputhjes së orientimeve politike. Tani kjo ka filluar ndryshojë, sepse që të kesh rolin e partnerit strategjik duhet të tregohesh i aftë dhe të prodhosh stabilitet. Për 30 vjet ne kemi dëshmuar se prodhojmë shtete jofunksionale dhe elita pazarxhish. Ndërsa Kosova e lazdruar prej vitit 2014 e ka trajtuar mbështetjen e SHBA me përçmim dhe kryeneçësi, duke e parë veten qendër të botës dhe duke refuzuar çdo proces strategjik të SHBA me rebelim adoleshent. Prandaj mos u habisni nëse këto darkat festive në Beograd shpeshtohen.





















