Connect with us

Kosovë

8 me 4: Delegacioni kosovar shkon dy ditë më herët se ai serb në Uashington

Publikuar

Pas vetes, Hoti ka marrë edhe shtatë zyrtarë të tjerë të qeverisë, përfshirë zëvendësat e tij, Albulena Balajn e Nismës dhe Driton Selmanajn, ministrat, Meliza Haradinaj, Arban Abrashi dhe Selim Selimi,  koordinatori shtetëror  për dialogun, Skender Hyseni si dhe shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.

Numri i zyrtarëve të lartë që kanë udhëtuar për në SHBA është goxha i lartë krahasuar me delegacionin e Serbisë i cili është nisur sot për në Uashington.

Në kryeqendrën amerikane për takimin me Kosovën do të udhëtojnë ndërkaq katër zyrtarë serbë, dyfish më pak se numri i qeveritarëve nga Kosova.

Delegacioni serb do të udhëhiqet nga presidenti, Aleksandar Vuçiq.

Pjesë e tij do të jetë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq. Ministri i Financave, Sinisha Mali po ashtu do të jetë pjesë e delegacionit së bashku me kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Marko Cadezh.

Një numër kaq i lartë i pjesëtarëve në delegacionin e Kosovës shihet si krejtësisht i panevojshëm për takimin e rëndësishëm që mbahet të premten e kësaj jave.

Hoti dhe qeveria e tij në këtë takim po shkojnë pa përkrahjen e opozitës, partive të së cilës kryeministri u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje, por që të njëjtën ato e kanë refuzuar.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë kur zyrtarë të qeverive të pasluftës së Kosovës, kanë shkuar në numër enorm për takime në shtetet e jashtme.

Në këtë formë, qeveritë janë akuzuar për keqpërdorim të parasë publike. /lajmi.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK