Connect with us

Lajme

Vjosa Osmani me një mesazh të fuqishëm Serbisë: Paqe nuk do të ketë, përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet

Publikuar

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për ata njerëz që kanë humbur gjurmët në konflikte apo rrethana të tjera.

Osmani thotë se dy dekada pas luftës, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit tonë.

Kryetarja e Kuvendit mes tjerash i ka dërguar një mesazh Serbisë, duke thënë se paqe nuk do të ketë mes dy vendeve pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb.

Kujtojmë se 30 gushti është shpallur nga Kombet e Bashkuara si “Dita për të nderuar viktimat e zhdukjes së dhunshme”. Kjo ditë do të shënohet edhe në vendin tonë, ku edhe 1640 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur vetëm nga lufta e fundit.

Ja shkrimi i saj:

“Sot Kosova dhe e gjithë bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Ditë kjo në funksion të ngritjes së zërit për të zbardhur fatin e të gjithë atyre që nuk janë në mesin tonë, fati i të cilëve përbën shqetësim jo vetëm për familjarët, por për shoqërinë në përgjithësi.

Dy dekada pas luftës, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit tonë. Janë 1641 fate jetësore për të cilat institucionet nuk arritën të bëjnë asgjë përgjatë këtyre 21 vjetëve. Sot, pesha e fatit të tyre rëndon mbi secilin politikan të Kosovës. Mbi ne bie përgjegjësia e zbardhjes së fatit të secilit, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë.

Sot kur Kosova zhvillon negociata me këtë shtet që kreu veprime gjenocidale, për të arritur atë që po quhet Marrëveshje

Përfundimtare, para nesh shfaqet portreti i secilit të zhdukur. Sot ne nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për familjarët e tyre, siç nuk e kemi as argumentin kryesor: si mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë teksa nuk e dimë ku i kemi njerëzit tanë, të cilët ajo i mori dhunshëm!

Rrjedhimisht duket e pamundshme dhe anakronike një marrëveshje përfundimtare pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb. Paqe nuk do të ketë përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet e përderisa secili fëmijë nuk e gjen prindin e vet të zhdukur. Paqja ndër-shtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1641 familjeve në Kosovë!”

.

NA NDIQ NË FACEBOOK