Sport
Vazhdon saga, Lionel Messi blen shtëpi afër zyrave të Interit

Numri 10 i Argjentinës dhe Barcelonës ka marrë një shtëpi në rrugën e Lirisë, një nga zonat më të lakmuara të Milanos, e njëjta ku ndodhen edhe zyrat e klubit të Interit, që prej kohës kur pronësinë e mori grupi kinez Suning.
Këto të dhëna flasin qartë që ylli argjentinas po përgatitet për të jetuar në Milano dhe u japin edhe më shumë forcë zërave se po punohet për një transferim të tij te Interi, ndoshta që këtë verë.
Drejtuesit e klubit zikaltër kanë mohuar gjithçka deri tani, por mediat në Itali raportojnë se grupi kinez Suning ka autorizuar Javier Zanettin që të studiojë mundësinë e transferimit të Messit te Interi dhe njëkohësisht po punojnë për të gjetur sponsorë të fuqishëm që të mundësojnë blerjen e tij.
Vetë Messi nuk ka preferuar të komentojë këto zëra, duke u përqendruar maksimalisht te Liga e Kampionëve, i vetmi trofe ku Barcelona është ende në lojë dhe do të provojë ta fitojë për të shpëtuar sezonin.
Kontrata e yllit argjentinas me Barcelonën skadon verën e ardhshme dhe deri tani palët nuk kanë arritur marrëveshjen për rinovimin, pavarësisht se janë zhvilluar disa raunde negociatash, ndërsa gjasat më të mëdha janë që Interi të tentojë afrimin e Messit pas një viti, kur të jetë lojtar i lirë.






















