Connect with us

Religjion

Sapo të përfundojë kjo krizë, do të mund ta kuptojmë vlerën e çastit që kemi!

Publikuar

Me vite të tëra ne kemi ikur nga vetja, dhe vetëm tani me
paraqitjen e këtij ‘virusi’ arritëm ta ndalojmë veten nga ajo ikje.

Me vite nuk mund të gjejmë kohë të mbetemi vetëm, ta llogarisim
veten dhe të ballafaqohemi me anët tona të ndritshme apo të errëta. Me vite e
mashtrojmë veten se nuk kemi kohë ta takojmë mik apo një të afërm, të bisedojmë
pa shikuar në orë, të këmbejmë mendime dhe ndjenja, sepse kjo botë ec përpara
me lëvizje të frikshme dhe mendojmë se po të ndalemi, erdhi fundi. Tani e
shohim që e gjithë kjo ishte vetëm një gënjeshtër.

Tani e kuptojmë që me kokën lartë dhe shikimin para, nuk duhet të
na brengos asgjë, asnjë stuhi sepse ne vetes ia kemi bërë qëllim që asgjë nuk
mund të na nxjerr jashtë binarëve dhe se jemi mbështetur Atij i Cili na krijoi
dhe na furnizon pafund.

Me vite e bindnim veten se jemi jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe
se pa ne gjithçka do të shkonte mbrapshtë, dhe tani kur shikojmë gjithçka nga
anësh, e shohim që mu tani toka filloi të merr frymë dhe se vazhdoi të lëviz
edhe pa praninë tonë.

Sapo të ndalojmë dhe të ndajmë pakë kohë, i vërejmë  të gjitha këto marrëzi jetësore që i kemi
bërë, botë artificiale e cila na lodhi, bredhjet e pafundme dhe ndjenja e boshllëkut
e cila nuk kalon…

Një herë sapo të kalojë kjo krizë do ta kuptojmë vlerën e çastit
të cilin e posedojmë, ajrit të cilin e thithim, mundësive që na jepen, sepse do
të jemi më pranë vetes, më të vetëdijshëm për ndjenjat dhe rëndësinë e njerëzve
të cilët mbetën pranë nesh edhe në çastet e vështira.

Ndoshta do ta kuptojmë kotësinë e shqetësimeve që nuk sjellin
asgjë, dhe krahasimet që na vrasin. Një ditë kur të gjitha kjo të mbarojë dhe t’i
lidhim pjesët e enigmës në një tërësi të jetës, do të qeshim me veten për
frikën e panevojshme që na preokuponte për çdo ditë.

Një urtësi të Mevlana Xhelaluddin Rumit qëndron: “Zemra jote ka madhësinë e një Oqeani.
Shko e gjej veten, në thellësitë e tij të fshehura.”

“Kthehuni te Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë
dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e
asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa
e ndier atë.”
(Zumer: 54-55)

L. Muaremi
[[email protected]]

NA NDIQ NË FACEBOOK