Connect with us

Kosovë

Presidenti ndan dekoratë për Muharrem Smakiqin, bashkëluftëtarin e Azem Bejtës dhe Shaban Polluzhës

Publikuar

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”, pas vdekjes, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës dhe Shaban Polluzhës, Muharrem Smakiqit.

Muharrem Smakiqi ishte njeri ndër bashkëluftëtarët më të rinj të çetës së Azem Bejtës, i cili u shqua për trimëri dhe heroizëm të pashoq.

Pas vrasjes së Azem Bejtës, ai një kohë jetoi në rrethinën e fshatit Abri nëpër miq e familjar dhe më pas në momentin e organizimeve të para të rezistencës kombëtare nga tribuni Shaban Polluzha, Muharrem Sinani siç njihej në Drenicë, i ishte bashkuar kësaj lëvizjeje duke u bërë një prej bashkëluftëtarëve më të afërt edhe të Shaban Pollushës deri në ditët e fundit të tij.

Muharrem Smakiqi ishte udhëheqës i Frontit të Jugut të Shaban Pollushës dhe në veçanti ishte shquar për suksesin në betejën e Lagjes Smakaj apo siç njihej në betejën e kullës së Hadakut te Guri i Kuq, ku edhe pse me një numër shumë më të vogël në radhët e ushtarëve të tij arriti që me një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm të mbante frontin për më shumë së 30 ditë, por edhe ta zmbrapste brigadën çetniko-partizane, duke u lënë pas atyre një numër të madh të ushtarëve të vrarë.

Për trimërinë e Muharrem Smakiqit janë kënduar këngë të ndryshme nga rapsodët shqiptarë dhe janë shkruar libra të ndryshëm.

Historiani Islam Dobra në librin Lufta e Drenicës 1941-1945 dhe NDSh në Kosovë deri më 1947, ka shkruar për trimërinë e Muharrem Sinan Smakiqit.

Edhe bashkëluftëtari i Muharrem Smakiqit, njëherësh sekretar i Shaban Polluzhës, Azem Hajdini-Xani, ka shkruar për betejat e tij në librin: Shaban Polluzha (Dëshmi dhe kujtime të kronistit të luftës I), NB “Rilindja”, Prishtinë, 2001.

NA NDIQ NË FACEBOOK