Kosovë
Në prag të takimit të 4 shtatorit, Lajçak nga BE i bën një premtim domethënës Vuçiqit

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka takuar sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Ai e ka vlerësuar këtë takim ndërsa ka kërkuar që të ketë më shumë dinamizëm në këtë proces.
“Një takim përmbajtësor dhe i dobishëm me Presidentin e Serbisë për aktualitetin. Unë shpreha gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta bërë më dinamik dialogun”, ka shkruar Lajcak, përcjell Periskopi.
Ky takim dhe këto komente interesante nga z.Lajçak janë bërë në prag të takimit të 4 shtatorit në Washington – në një proces paralel dialogimi që udhëhiqet nga ShBA-ja.
Bashkimi Evropian është akuzuar nga kritikë e politikanë pikërisht për mungesë dinamizmi në këtë proces të rëndësishëm për të dyja vendet. Dhe duket se pjesa e gatishmërisë për “një dialog më dinamik” ka ardhur si premtim për presidentin e Republikës së Serbisë.
Në takimin e fundit në Bruksel mes koordinatorit për dialog, Skënder Hysenit dhe përfaqësuesit serb Marko Gjuriq duket se nuk kishte pasur mjaftueshëm atmosferë të mirë bisede. Hyseni kishte akuzuar palën serbe për mungesë konstruktiviteti.





















