Kosovë
Kryeministri Hoti tregon se si do të organizohet mësimi prej 1 shtatorit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sapo ka informuar qytetarët e Kosovës në lidhje me mënyrën se si do të organizohet mësimi prej datës 1 shtator për nxënësit kosovarë.
Në këtë postim, Hoti nuk ka qenë krejtësisht i qartë – por megjithatë është shprehur se organizimi dhe masat do të jenë në varësi të kushteve që i kanë shkollat.
Si zëvendësim për praninë fizike të nxënësve pritet që mësimi online të jetë vazhdimisht aktiv, prëcjell Periskopi.
Çështja e rifillimit të semestrit të ri mësimor ka qenë mjaft sfidues edhe për vendet e tjera fqinje.
Statusi i plotë:
Sot, bashkë me zëvendëskryeministrat, diskutuam me Ministrin Likaj dhe bashkëpunëtorët e tij për fillimin e vitit shkollor. Ministri Likaj, me ekspertë të fushës, si dhe në konsultim me komunat, SBASHK-un, Këshillin e Prindërve dhe akterët e tjerë, është duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga data 1 shtator.
– Komunat dhe drejtorët e shkollave do të kenë udhëzime të qarta se si duhet të organizohet mësimi varësisht nga kushtet që kanë në shkollat e tyre.
– Mësimi online do të jetë gjithmonë aktiv.
– Janë duke u zhvilluar protokolle të veprimit se çfarë masa duhet të ndërmerren në çdo situatë që paraqitet.
– Do të ndërmerret një fushatë informuese për nxënësit dhe arsimtarët për masat mbrojtëse që duhet të zbatojnë.
– Mësimdhënësit janë duke u trajnuar për mësimin online, si dhe po punohet që të kemi listë rezervë të mësimdhënësve që mund të angazhohen sipas nevojës.
– Inspeksioni i arsimit do të jetë në mbështetje të shkollave për t’i udhëzuar për masat që duhet ndërmarrë, por edhe për të mbikëqyrë zbatimin e atyre masave.




















