Kosovë
I shkarkuari nga Kurti si drejtor i Trepçës e fiton rastin edhe në shkallë të dytë

Komisioni i Organit të shkallës së dytë në Inspektoratin e Punës ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për kthimin në punë të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi, i cili ishte shkarkuar nga Bordi i përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve të “Trepçës”, i emëruar nga ish-kryeministri Albin Kurti.
Bordi i përkohshëm i “Trepçës”, që ishte emëruar në fillim të marsit, në prill kishte shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje Basri Ibrahimin.
Ai ishte ankuar në Inspektoratin e Punës, me ç’rast ankesa i ishte aprovuar dhe dy muaj pas shkarkimit ai u kthye në detyrë. Pas marrjes së vendimit të shkallës së parë, edhe shkalla e dytë i ka dhënë të drejtë Ibrahimit.
Inspektorati i Punës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Bordit të përkohshëm Mbikëqyrës të Drejtorëve të “Trepçës”.
Në këtë mënyrë është vërtetuar vendimi i Organit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës për kthimin në punë të Ibrahimit.
Në dokumentet e siguruara nga “Express” thuhet se Komisioni i Organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës ka gjetur se ankesa e Ibrahimit në shkallën e parë është e bazuar.
“Inspektorati i Punës, pas shqyrtimit të ankesës dhe dokumentacionit të dorëzuar nga palët në procedurë, konstaton se: Bordi i përkohshëm i Mbikëqyrjes së Drejtorëve të ‘Trepçës’ SHA më datën 15.04.2020, Nr. 1546, me rastin e marrjes së vendimit ka vepruar në kundërshtim me Nenin 47 të Ligjit Nr. 05/L-031 të procedurës së përgjithshme administrative…”.
























