Kosovë
Drejtoresha e Pulmologjisë që u prek nga COVID-19: S’kishim kohë të mendojmë për veten

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK Rukije Mehmeti duke trajtuar pacientët me COVID-19 është prekur edhe vetë nga ky virus.
Ajo në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se po punon pothuajse pa pushim, derisa ka rrëfyer se në fillim të pandemisë ka pasë ditë kur edhe pse e ka përfunduar kujdestarinë ka vazhduar të trajtojë pacientët.
“Nuk kam pushuar fare. Pas kujdestarisë nuk kam shkuar kurrë në shtëpi, sepse fillimi ka qenë shumë i rëndësishëm që t’i vëmë gjërat në binarë. Kam vazhduar të punoj edhe pas orarit të punës, edhe kur kam shkuar në shtëpi kam vazhduar të punojë, sepse ka qenë e nevojshme të jem në rrjedhë të ngjarjes se çfarë po ndodh, sepse ishte gjendje alarmante për krejt Kosovën, sidomos për ne që ishim direkt të lidhur në punë”.
“Nuk kishim kohë të mendojmë për veten nëse je i lodhur ose jo. Lodhja dhe rraskapitja sjell deri të një gjë e tillë plus kushteve që kemi punuar, përkundër masave mbrojtëse. Klinika Infketive është klinikë që është destinuar për sëmundje ngjitëse qysh nga fillimi, derisa klinikat e tjera që i kanë dalë në krahë Klinikës Infektive nuk janë të destinuara për trajtimin e këtyre sëmundjeve”.
Mehmeti ka treguar se ka infektuar edhe anëtarët e tjerë të familjes për të cilët ka thënë se kanë qenë në gjendje më të rënduar sesa vetë ajo.
“Jam trajtuar në shtëpi dhe fatkeqësisht i kam infektuar edhe anëtarët e familjes me të cilët jetoj bashkë, por edhe ata e kanë kaluar mirë. Ata kanë qenë më rëndë se unë, por e kanë tejkaluar. Në fillim kam pasë lodhje, por mendoj se njerëzit që nuk e njohin natyrën e sëmundjes kanë frikë më të madhe derisa te njerëzit që frikësohen më shumë edhe imuniteti të lëshon pak. Një mendim pozitiv gjithmonë sjell edhe deri të rritja e imunitetit”.
“Nuk duhet të mendosh se nëse je sëmurë prej COVID-19 do të vdesësh. Po shohim për çdo ditë që ka shumë raste që shërohen ose e kalojnë COVID-19 në këmbë. Mendoj se varet shumë në kohën kur sëmundja të ka zënë dhe në këtë ndikojnë shumë faktorë si imuniteti dhe sëmundjet shoqëruese”.





















