Kosovë
Besa Ismaili e PDK-së futet në luftë kundër islamofobisë: Vajzat me shami duhet të pranohen në shkolla

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili, i është rrekur luftës për të lejuar vajzat me shami të futen në institucionet shkollore të Republikës së Kosovës.
Ishte pikërisht një ministër i Arsimit nga PDK, Ramë Buja, ai që kishte aprovuar një udhëzim administrativ që ndalonte nxënëset të bartnin shami në institucionet shkollore.
Por, tashmë kjo praktikë është bërë mjaft prevalente dhe kjo parti politike duket se ka ndërruar qasje, shkruan Periskopi.
Ismaili ka thënë se është e shqetësuar me “provokimin për mospranimin për regjistrimin e nxënëses e cila bartë shami!”
Më tej ajo ka deklaruar se institucionalizimi fetar po përdoret për të mohuar lirinë individuale fetare.
Znj.Ismaili është edhe vetë bartëse e shamisë që i përket konfesionit islam.
Statusi i plotë:
Tejet e shqetësuar me provokimin për mos pranimin për regjistrim të nxënëses e cila bartë shami!
Kjo është e papranueshme!
Ka një dallim substancial ndërmjet institucionalizmit fetar dhe lirisë individuale fetare.
Thirrja kundër institucionalizmit fetar, për të ruajtur parimin sekular të shtetit po shtrembërohet me qëllim për të mohuar lirinë individuale fetare.
Respektimi i të drejtave dhe lirive nuk guxon assesi të jetë selektiv gjatë ushtrimit të ligjit. Aq më hiq kur kemi të bëjmë me vajza. Mohimi kategorik i tyre me veprime përjashtuese, përmban ngjyrim fashizmi.
Si anëtare e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, që nga mëngjesi i sotmë, jam duke u angazhuar maksimalisht, (ashtu siç kam bërë prore për më shumë se dy dekada tanimë, edhe në rastet e mëhershme) për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e mia, për të asgjësuar tendenca për veprime dhe vendime të tilla, të kundërligjshme dhe diskriminuese.
Ksenofobia nuk i duhet shoqërisë kosovare!






















