Connect with us

Lajme

Sela në KTV: Do të kërkojmë të rihapen të gjitha lëndët ku ka dyshime

Publikuar

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në emisionin Desku në KTV ka thënë se shqiptarët nuk duhet të jenë spektatorë por të jenë katalizatorë të reformave në drejtësi.

Ai ka theksuar se do të kërkojnë të rihapen të gjitha lëndët ku ka dyshime për interferim politik.

“Nuk mundemi të jemi vetëm ata që presim, ne duhet të jemi katalizatorë të reformave në drejtësi. Ajo që u vërejt dhe që u premtua fatkeqësisht ka krijuar një zhgënjim të madh të qytetarët në Maqedoni, pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo maqedonas. Sepse një nga premtimet kryesore të Zoran Zaevi ishte shteti i së drejtës. “Pa drejtësi nuk mund të ketë qetësi”, kështu thoshte ai nëpër protestë”, shprehet Sela.

Ai thotë se tani është LSDM-ja ajo që po i menaxhon grupet kriminale.

“Fatkeqësisht u bë palë me miqtë e shefave të shërbimeve sekrete të para 27 prillit. Më duhet të them patjetër se Sasha Muellkovi i famshëm është tani në krahun e Zoran Zaevit. Grupet kriminele që dikur menaxhoheshin nga VMRO-ja tani menaxhohen nga LSDM-ja dhe kjo ka krijuar zhgënjim te qytetarët. Rasti Reket (Zhvatje) që kishte për kryefjalë kryetaren e Prokurorisë Speciale prapa saj fshihej tendenca që s’u arrit për të mos ekzistuar institucioni më i besueshëm i qytetarëve. Futen në një linjë korrupsioni për të amnistuar ato raste, dhe kështu ndodhi, sot Prokuroria Speciale nuk ekziston në Maqedoni. Por, ne nuk duhet të jemi spektatorë dhe të shohim se çfarë bëjnë tjerët”, thotë Sela.

Sela tutje ka bërë të ditur se kusht për të hyrë në qeveri është kërkesa për rihapjen e rasteve dhe sjellja e gjyqtarëve nga BE-ja.

“Brenda 100 ditëshit me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, dhe ky është një ndër kushtet bazë të krijimit të Qeverisë, do t’i bashkohet vendeve bazë të BE-së në mënyrë që të sjellin ekspertë, gjykatës dhe prokurorë dhe të rihapen të gjithë lëndët në të cilat ka dyshime për interferim politik. E kjo duhet të jetë në kuadër të sistemit”, thotë Sela.

Ai ka kujtuar rasti i lënies në liri i vrasësit 4 vjeçar, “dhe kur vrasësi është maqedonas dhe e ka emrin Boban ai shumë lehtë del prej burgut dhe sot është i lirë. Para ca ditësh ishte katër vjetori i vrasjes. Tentativa për të vrarë një familje të tërë, me ç’rast u vra fëmija katër vjeçar u rikualifikua vepra në aksident trafiku me rrezikshmëri të lartë”.

“Kjo është për të treguar se ku është gjyqësia. Një gjë e tillë nuk do të tolerohet dhe ai proces duhet të rihapet”, shprehet ai. “Një shtet që lejon që drejtësia të vendos mbas thirrjes së turmave, shndërrohet në shtet mizor”.

Një ndër masat është rihapja e proceseve të montuara politike.

“Lagjja e Trimave u dhanë vendime të cilat unk ishin parë as në procesin e Nyrembergut mbi 700 vite burg. Hetim ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë kërkesa jonë në mënyrë që të ndahet drejtësi dhe gjithsecili të përgjigjet për veprën që ka bërë. Dhe nga ana tjetër të shohim se kush ishin organizatorët”, ka thënë ai.

Sela ka thënë se do të ketë edhe vetting, “me keqardhje kam parë Zaevin duke thënë se nuk e bëjmë dot vettingun se do të mbesim pa gjykatës, kjo është të pranosh se e ka gjyqësorin thellë të zhytur në korrupsion. Prandaj për rezultat kemi të pafajshëm në burg dhe kriminelë që janë të lirë”.