Lajme
Sela: Ali Ahmeti dhe BDI-ja janë shqiptarë sezonalë

Ali Ahmeti dhe BDI-ja janë shqiptarë fakultativë, shqiptarë sezonalë. BDI-ja përmes propozimit për kryeministrin shqiptar dëshiron të vazhdojë t’i mbajë votuesit të cilët i kishte, me çka humbja në zgjedhje të mos jetë shumë e madhe. Këtë në intervistë për MIA-n e deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i pyetur që ta komentojë strategjinë për zgjedhjet të BDI-së për kryeministrin shqiptar.
“Mendoj se nuk është hera e parë, këtë unë e parashikoja dhe paralajmëroja gjatë zgjedhjeve lokale dhe presidenciale. Atëherë ne mbështetnim kandidat shqiptar për president, ndërsa Ali Ahmeti atëherë tallej me propozimin tonë, edhe pse qëllimi ynë ishte që votuesit shqiptarë t’i mbajmë në partitë politike shqiptare. Nga ana tjetër, unë që atëherë kisha paralajmëruar se do t’i shihni shqiptarët fakultativë. Ali Ahmeti dhe BDI-ja janë shqiptarë fakultativë, shqiptarë sezonalë, kur në zgjedhje lokale nuk iu pengon që me Lube Boshkovskin ose me cilindo të shkojnë bashkë dhe të thirren në qytetari. Në zgjedhjet presidenciale, pasi e dinin se do të humbin thellë në ato zgjedhje nëse dalin me kandidatin e tyre, bënin fushatë dhe në rrethin e parë e mbështetnin kandidatin e LSDM-së. Që atëherë paralajmërova se kur do të vijnë zgjedhjet parlamentare ata menjëherë do të bëhen patriotë të mëdhenj, gjë që nuk janë. Nuk janë as shqiptarë të mëdhenj”, vlerësoi Sela për MIA-n.
Sipas tij, propozimi i BDI-së ka dalë pas anketave të IRI, sipas të cilave, siç tha Sela, BDI-ja ishte pas Aleancës për Shqiptarët.



















