Kosovë
Rrusta e PSD-së e akuzon Rrjetin e Grave për djathtizëm pas vrasjes së një gruaje në Kamenicë

Aktivistja e Partisë Social-Demokrate, Teutë Rrusta, ka denoncuar një komunikatë të bërë nga ana e Rrjetit të Grave të Kosovës mbi vrasjen e një gruaje në Kamenicë.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kishte reaguar para tri ditësh për vrasjen që një bashkëshort i bëri gruas së tij në Kamenicë duke kërkuar që institucionet të kryenin me përgjegjësi punën e tyre.
Por, ky reagim është quajtur letargjik, i vonë (pas dy ditësh e gjysmë) dhe në përputhje me sistemin nga ana e Teuta Rrustës së PSD-së, përcjell Periskopi.
Znj.Rrusta ka kërkuar një diskurs feminist radikal e të majtë në qasjen ndaj këtyre problemeve me të cilat po ballafaqohet shoqëria jonë.
Ajo ka deklaruar se ky rrjet gëzon një hapësirë shumë të madhe e të cilën nuk po e shfrytëzon për të denoncuar dhunën në familje dhe dukuritë e tjera.
Statusi i plotë:
Rrjeti i dobët
Më 10 korrik 2020 është vrarë një grua në Kamenicë nga burri i saj. Edhe një grua është vrarë, përderisa ne vazhdojmë ta njehim, pas vdekjes, jetën e saj. Dhe kaq. Por ajo çka është e paparanueshme më tepër se heshtja shoqërore është heshtja e grupeve të organizuara. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) që ka në organizimin e saj 141 organizata, nuk denjoi ta përdorë këtë strukturë për mobilizim ndaj rastit të së shtunës në Kamenicë.
Për kë reagon tregon kë e përfaqëson. Për Vjosa Osmanin, Kryetaren e Kuvendit, nuk kaluan as 24h për ta mbrojtur nga sulmi i deputetit të LDK, ndërsa për gruan nga Kamenica të cilën e vrau burri dhe për të cilin rast Rrjeti kishte qenë në dijeni për probleme prej vitit 2017, u deshten dy ditë e gjysmë për ta shkruar një komunikatë. Një komunikatë pa zemërim, pa revoltë, të rëndomtë, të përsëritur, me vetëm 19 rreshta dhe me një gjuhë pa teh kritik.
Pushteti që e bart Rrjeti, në raste të tilla është demobilizues për gratë tjera që në një moment kanë qenë të inspiruara nga ndonjë aktivitet i tyre. Nevoja është që të intervenohet në familje në njërën anë dhe në rendin ekonomik e vleror në anën tjetër. Por kjo më nuk mund të pritet me qasjen e njëjtë.
Kjo heshtje e Rrjetit na kujtoi që në vendin tonë ka mungesë të një kritike ideologjike e metode radikale në veprim lidhur me çështje gjinore. Edhe Rrjeti duhet t’i nënshtrohet kritikës. Hapësira e madhe që e posedojnë i bën përgjegjëse për boshllëkun e krijuar, pra një nënpërfaqësim të grave në shoqëri.
Rrjeti për një kohë të gjatë më tepër funksionon përbrenda kornizës institucionale, në kuptimin e llojit të angazhimit, duke ndihmuar dhe inicuar aspketin ligjor dhe kjo ka qenë e nevojshme dhe e rëndësishme. Por vendosja e theksit tek aspekti ligjor e sistemi gjyqësor, para atij ekonomik e shoqëror është diskurs që dërgon djathtas. Kosova është vend me shumicën e grave të përjashtuara ekonomikisht dhe të shtypura kulturalisht. Barazia, as gjinore, nuk arrihet vetëm përmes kërkesës për dënim, ndëshkim, policim. Këto janë të nevojshme, por nuk mund të jenë shtyllë mbi të cilën organizohemi si shoqëri. Këto probleme me karakter strukturor thërrasin për një diskurs feminist të majtë dhe radikal. Ose, përndryshe, çdo vit, do të vazhdojmë t’i numërojmë sa gra u vranë nga burrat.
Sido që të jetë, letargjia e ketyre ditëve është zhgënjyese.
Reagimi i RrGK-së:
Kumtesë për media
RrGK kërkon drejtësi të pakompromis për vrasjen e gruas nga bashkëshorti në Kamenicë
27 korrik 2020
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim tejet të madh ka pranuar lajmin për vrasjen që ka ndodhur para dy ditësh në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës, ku një burrë rreth moshës 42 vjeçare me inicialet N.M e ka vrarë gruan e tij 34 vjeçare me shufër metalike.
Përmes këtij reagimi, RrGK u bënë thirrje institucioneve të drejtësisë, respektivisht Gjykatës Themelore të Gjilanit që është duke e trajtuar rastin, që të ketë kujdes të shtuar në trajtim të këtij rasti, dhe që dorasi të marrë dënimin e merituar, ashtu siç parashihet me ligj për kyerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Duke pasur për bazë gjetjet e hulumtimeve të realizuara nga RrGK, shpesh herë është vënë re se gjyqtarët, prokurorët, si dhe zyrtarët policor, gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, kanë tendencë të fajësojnë viktimën, madje edhe kur të gjitha provat dëshmojnë për dhunë me pasoja të rënda fizike dhe emocionale. Andaj, RrGK do ta monitorojë për së afërmi këtë rast, për t’u siguruar që drejtësia do të zbatohet.
Për çdo dështim, nga institucionet do të kërkojmë përgjegjësi për mos efikasitet dhe pandëshkueshmëri të vrasësve të grave. Ne do të ushtrojmë presion publik në rast se nuk ndërmirren hapat e duhur ligjor.
Në kërkim të drejtësisë, RrGK do të ndërmarrë një aksion në ditët në vijim, për të cilin mediat do të njoftohen me kohë.

















