Sport
Portieri i Kombëtares së Kosovës bën hap të madh në karrierë, transferohet te Kreuzlingen

Berisha (24-vjeçar) ka firmosur për një vit, me mundësi të vazhdimit të kontratës. Tashmë është paraqitur në disa ndeshje përgatitore.
“Jam shumë i gëzuar për mundësinë që të luaj në ligën e dytë zvicerane. Jam i motivuar që iu kam bashkuar një ekipi me kualitet dhe me potencial të madh. Këtë vit synimi është ngritja në ligën elitare të Zvicrës. Me përgatitjet që po i zhvillojmë dhe me një seriozitet të madh, shpresoj që në fund të edicionit t’i arrijmë synimet”, ka thënë Haris Berisha për faqen zyrtare të FHK-së.
Për kalimin e tij te Kreuzlingeni ka shkruar edhe Federata e Hendbollit të Zvicrës. Te kjo skuadër luajnë edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Valon Dedaj dhe Drenit Tahirukaj.
“Përkundër moshës së re, 24-vjeçari tashmë ka shumë përvojë ndërkombëtare. Portieri i gjatë 197 centimetra ishte numër një në kualifikimet për Evropianin 2020, te Kosova. Falë pritjeve të tij, Kosova arriti fitore historike, 27:24 ndaj Izraelit dhe barazimin e jashtëzakonshëm 23:23 ndaj Polonisë. Berisha po ashtu është vlerësuar lartë për paraqitjen ndaj Gjermanisë para 7200 shikuesve. Falë asaj paraqitje ka siguruar kalimin në Zvicër”, ka shkruar federata zvicerane.
Berisha ka mundësinë tashmë që të shënojë një progres të madh në karrierën e tij dhe të synojë skuadra edhe më të mëdha. /Lajmi.net/






















