Kosovë
Pesë, tre a dy? Informacione kontradiktore për të vdekurit në Gjakovë nga Covid-19

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha sot dha alarmin se pesë persona kanë vdekur për dy orë në Spitalin e Gjakovës të infektuar me koronavirus.
Këtë deklaratë, Batusha e dha përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, megjithatë, të njejtin nuk e kanë konfirmuar ende në Spitalin e Gjakovës.
Të kontaktuar nga Express, nga Spitali nuk janë përgjigjur në pyetjen e Gazetës.
Megjithatë, se kanë vdekur pesë persona për dy orë e kanë mohuar në Komunën e Gjakovës.
Kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini ka thënë se deri më tani e ka informacionin për vdekjen e tre personave që ishin të prekur me koronavirus.
“Këtë informacion nuk e kam, për tre e kam informacionin për dy gra të moshuara dhe doktorin. Mirëpo, jam në mbledhje të asamblesë momentalisht dhe nuk e di ndërkohë nëse ka pas ndonjë rast të ri të vdekjes”, ka thënë ai.
Ndryshe është deklaruar drejtori i Shëndetësisë në Gjakovë, Ferdinand Kolaj.
Ai ka thënë se deri më tani ka informacione se kanë vdekur dy persona.
“Nuk është e veretë që sot kanë ndodhur pesë vdekje në Spitalin e Gjakovës. Mua më konfirmuar për dy vdekje, për pesë nuk është e vërtetë”, tha Kolaj.






















