Lajme
Nëse nuk vini në tubim do marrim masa” – Shefi i Kabinetit të Merkos kërcënon administratorët

Mesazhe kërcënuese dhe forma të ndryshme presioni për të marrë pjesë në aktivitete partiake ndaj administratorëve dhe të punësuarve në arsim, po shtohen përditë. Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë ditës së djeshme zhvilloi tubimin qendror në Strugë, ndërsa drejtuesit e Komunës së Strugës janë siguruar që të gjithë administratorët dhe ata të punësuar me kontrata, të jenë të pranishëm në tubim, me çdo kusht, madje edhe familjarisht.
Një mesazh i arritur në Redaksinë e in7, dëshmon për një mënyrë presioni dhe kërcënimi direkt nga Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Strugës, ndaj administratorëve të komunës. Dashmir Nasufi, Shef i Kabinetit të Merkos fton administratorët të marrin pjesë familjarisht në tubim, ndërsa i kërcënon se në rast mungese “do të merren masa”, përcjell in7.


















