Lajme
Maqedoni/ Bëhet thirrje sërish për respektim të masave mbrojtëse

Numri i personave të infektuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut edhe më tej mbetet i lartë. Sipas të dhënave të publikuara dje, në vend janë regjistruar 165 raste të reja me Kovid-19, shtatë të vdekur dhe 128 të shëruar. Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve që nga fillimi i epidemisë deri më tani është 6.787, kanë vdekur 328 pacientë, ndërsa 2.876 janë shëruar.
Kompetentët dhe punonjësit shëndetësorë u bëjnë thirrje vazhdimisht qytetarëve që të mos grupohen, të mbajnë distancë prej dy metrash, të mbajnë maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën dhe hundën, t’i lajnë ose t’i dezinfektojnë shpesh duart, sepse, siç theksojnë ata, kjo është mbrojtja themelore kundër përhapjes së rritur të virusit.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi dje se pandemia nuk po qetësohet askund në botë, ka gjithnjë e më shumë njerëz të infektuar të rinj, kudo që të zbuten masat kufizuese.

















