Connect with us

Kosovë

Kurti uron për Bajram: Respektojini masat, bëjeni këtë sakrificë për familjen

Publikuar

Festën e Kurban Bajramit e ka uruar edhe lideri i VV-së, Albin Kurti.

Ky i fundit me anë të një postimi në Facebook, është shprehur se kjo festë na gjen në një sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme.

“Sivjet kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme, e cila në vendin tonë po bëhet kërcënuese për të gjithë. Andaj besoj se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mbajnë maskë, distancë dhe të kufizojnë maksimalisht takimet e vizitat.

Postimi i plotë:

Të dashur besimtarë myslimanë, gëzuar festën e sakrificës, Kurban Bajramin.

Çka shkon te Zoti nuk është mishi e gjaku i sakrificës, por qëllimi i mirë, drejtësia, adhurimi e dashuria. Në këtë festë, synim nuk është kënaqja e vetes, por afirmimi i kujdesjes për tjetrin. Prandaj sipas rregullit kurbani ndahet në tre pjesë, dhe vetëm njëra mbahet për vete e familjen e ngushtë. Dy të tjerat, pra pjesa më e madhe e sakrificës, u dhurohen të varfërve, por edhe fqinjëve, miqve e familjes së gjerë. Kjo është festë e solidaritetit.

Sivjet kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme, e cila në vendin tonë po bëhet kërcënuese për të gjithë. Andaj besoj se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten.

Uroj që festën ta kaloni lumturisht, dhe të na sjellë të gjithëve fat e mbarësi për javët e muajt në vijim, sepse kemi nevojë. Por ju lutem, mbani distancë, përdorni maskat, kufizoni maksimalisht takimet e vizitat me persona jashtë familjes suaj. Bëjeni këtë sakrificë për familjen e fqinjët, për bashkëkombasit tuaj.

Edhe një herë, me fat Kurban Bajrami!.

NA NDIQ NË FACEBOOK