Connect with us

Kosovë

Kryesia e BIK-ut kundërshton projektin e kodit civil në të cilin lejohen martesat e gjinisë së njëjtë

Publikuar

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës thotë se me shqetësim ka marr lajmin për projektin e kodit civil të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në të cilin lejohen martesat e gjinisë së njëjtë.

Kryesia një projekt të tillë që legalizon martesat e të njëjtës gjini e konsideron të papranueshëm ngase bie ndesh me parimet fetare, natyrën njerëzore dhe cenon kodin e familjes.

Kryesia e BIK ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të heq dorë nga ky projekt dhe mos ti hapet rrugë iniciativave të tilla të cilat bien ndesh me thelbin e jetës dhe natyrshmërinë e njeriut.

“Ky shqetësim dhe thirrje e jona si institucion fetar, si besimtarë dhe si qytetarë të këtij vendi synon vetëm ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave tona fetare e besimore, tradicionale e kombëtare.

Shoqëria jonë nuk është një shoqëri diskriminuese, por kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe për natyrshmërinë e njeriut, nuk mund të heshtim e të tregohemi indiferent ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit të jetës sonë edhe kundër vullnetit të Zotit”, thuhet në një komunikatë për media të këtij institucioni.

Kryesia konsideron se për ta, familja është e shenjtë, prej së cilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe e llojit njerëzor mbi tokë.

“Familje ose fole familjare është vetëm ajo e ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përbën një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit.

Prandaj, martesat e të njëjtës gjini nuk i shohim si pjesë të traditës sonë të përbashkët dhe të të gjithë elementëve që përbëjnë këtë komb. Ne kemi një traditë të shkëlqyer familjare dhe kjo është një vlerë për shoqërinë tonë, vlerë të cilën nuk duam dhe nuk kemi pse ta humbasim”, thotë kryesia.

Në fund kryesia e BIK-ut u ka bërë thirrje përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre , që mbi të gjitha të kenë parasysh të mirën e familjes , shoqërisë dhe vendit tonë.

NA NDIQ NË FACEBOOK