Lajme
Pse Naser Ziberi e pranoi kandidaturën për kryeministër?

Pse Naser Ziberi e pranoi ofertën e kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të qenë kandidat për kryeministër nga kjo parti?
Fushata zgjedhore po afrohet drejt fundit, ndërsa partitë politike po i shtojnë takimet me qytetarë për të promovuar ofertat e tyre zgjedhore. Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje, disa ditë pasi u caktua data e zgjedhjeve doli me ide për kryeministër shqiptar. Nga kjo parti e promovuan idenë për kandidat mbipartiak, ndërsa partitë tjera pa përjashtim e cilësuan këtë ide si manipulative dhe joserioze. Madje edhe vet kandidati për kryeministër nga BDl kishte thënë se këto ide të mëdha bëhen me qëllime përfitimi të votave dhe se koha e këtyre ideve kishte përfunduar, përcjell in7.
“Unë mendoj se ide të mëdha Maqedonia nuk ka në dispozicion dhe ofertat e ideve të mëdha kanë mbaruar, siç ishin euro-integrimet, zgjedhja e kontestit të emrit. Oferta, slogani për kryeministër shqiptar nuk është ide e madhe, e dhe ajo nuk mund të jetë atraktive për të bërë ndonjë kthesë radikale në dispononim e votuesit dhe sidomos votuesit shqiptar, prandaj nuk pres ndonjë kthesë të rëndësishme në këtë drejtim”, kishte deklaruar Naser Ziberi.
Ziberi kishte konstatuar se qytetarët kanë krijuar bindjen e tyre se për kë do të votojnë dhe se idetë e mëdha nuk do të krijonin ndonjë ndryshim.
“Përkundrazi, një numër i madh i qytetarëve veç më e kanë të formuar bindjen e tyre, aq më tepër kur kjo fushatë zgjedhore nuk do të jetë në stilin e tubimeve, tribunave, mitingjeve të mëdha ku do të mund të krijohet një dispononim momental për të animuar votuesin për zgjedhje”, kishte deklaruar vetëm katër ditë para se të pranojë kandidaturën, për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi.
Ditë më parë edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim deklaroi se kandidaturën për kryeministër e kishin refuzuar 9 kandidatë të tjerë, por që të gjithë ato, përkrahin idenë që kandidati të jetë Naser Ziberi.
Siç ka arritur të mësojë in7, brenda partisë së Ahmetit, prapa pranimit për të qënë kandidat fshihet një marrëveshje mes Ziberit dhe Ahmetit. Nëse partia e Ahmetit do të dalë fituese e zgjedhjeve dhe do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, atëherë nipi i Naser Ziberit, Arben Ziberi të zgjidhet Ministër i Shëndetësisë. Arben Ziberi është kandidat i kësaj partie në Njësinë e Parë zgjedhore, i dyti në listë pas Izet Mexhitit. Deri para pak ditësh ishte në pozitën e Drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik, por u shkarkua pas një deklarate të tij në lidhje me lirimin e masave kundër pandemisë.
Kjo marrëveshje, bashkë me disa beneficione tjera për Ziberin, mësohet të jetë arsyeja se pse ai vendosi ta pranojë kandidaturën e Ali Ahmetit, pas 9 refuzimeve tjera që këtij të fundit ia kishin bërë disa personalitete tjera./in7.tv/

















