Sport
Hamilton u bën thirrje skuadrave të F1 që të bëjnë më shumë në luftën kundër racizmit

Kampioni i botës në Formula 1, Hamilton, është bashkuar në protesta të ndryshme së fundmi në nismën ‘Black Lives Matter’.
Madje, britaniku para secilës garë në F1 këtë sezon (2 të zhvilluara) është gjunjëzuar para fillimit të garës, për të simbolizuar barazinë sociale.
Por, një gjë të tillë nuk e kanë bërë të gjithë pilotët. Emra si Charles Leclerc, Max Verstappen e Raikkonnen nuk janë gjunjëzuar.
Pas këtyre ngjarjeve, Hamilton ka bërë përsëri thirrje për nëntë skuadrat tjera të F1 që të japin më shumë në luftën kundër racizmit.
“Ka më shumë gjëra që mund të bëjnë, ndoshta edhe trupi drejtues që vendos rregullat, që dikton shumë skuadra si të veprojnë”, ka thënë Hamilton, transmeton lajmi.net.
“Ne kemi parë mekanikët e Red Bull që gjunjëzohen, gjë që mendoj se është shkëlqyer, por publikisht, si biznes, si skuadra – nëse shihni Ferrari që ka mijëra njerëz që punojnë për ta, unë nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë nga Ferrari dhe në të ardhmen skuadrat duhet ta bëjnë këtë”, ka thënë tutje kampioni.
“Kemi nevojë që Formula 1 dhe FIA të jenë më prirës në këto skenare, të thonë ‘hej djem, të gjithë ne duhet të bashkohemi dhe të luftojmë për këtë”, ishin fjalët e Hamilton.
Mbetet të shihet nëse në garat tjera të këtij sezoni do të ketë diçka më speciale nga skuadrat e F1, për barazinë sociale. /Lajmi.net/






















