Kosovë
Gratë bashkohen në përpjekjen për ta rrëzuar nga pushteti Lukashenkon pas 25 vitesh

Tri gra janë duke drejtuar një fushatë opozitare për zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm në Bellorusi në mënyrë që të rrëzojnë nga pushteti pas 25 vitesh presidentin e deritashëm Aleksandër Lukashenkon.
Në krye të kësaj fushate është Svetlana Tikhanovskaya, një kandidate që në fillim kishte ngurruar por që mori vetëbesim gjithnjë e më shumë në sfidimin e Lukashenkos.
Javën e kaluar, Tikhanovskaya dha një fjalim në televizionin kombëtar para mijëra e mijëra vetëve në kryeqytetin e Bellorusisë, Minsk.
Fillimisht ajo kishte qenë në përkrahje të burrit të saj, një bloger popullor që iu ndalua gara presidenciale dhe u burgos nga autoritetet, por më pas u bë vetë kandidate për presidente, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.
“Rritja e saj është bërë kolosale,” ka thënë Maria Kolesnikova, udhëheqësja e fushatës presidenciale për një tjetër politikan opozitar, Viktor Babarikon, të cilit po ashtu iu ndalua garimi në zgjedhje dhe u burgos nga qeveria.
“Duhet ta themi që ajo është një grua ekstremisht e guximshme dhe kurajoze. Ka marrë një barrë tepër të rëndë,” shtoi ajo.
Deri më tash kjo është sfida kryesore politike për Lukashenkon që ka zemëruar bellorusët edhe për mënyrën se si e ka menaxhuar situatën me pandeminë e Covid-19. /Periskopi






















