Një shkëmbim mjaft interesant ka ndodhur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për iniciativën e znj.Vjosa Osmani kundër pandemisë Covid-19. Ky shkëmbim ishte mes vetë znj.Osmani dhe deputetit të AAK-së, z.Shkumbin Demaliaj.
Demaliaj fillimisht shprehu dyshimin se kjo iniciativë kishte elemente të caktuara politike, pas së cilës znj.Osmani doli në foltore dhe duke e marrë me të mirë i kërkoi atij dashamirësisht që ta lexonte me kujdes iniciativën dhe të mos e merrte atë si një iniciativë që vjen nga Vjosa Osmani.
“Harrojeni Vjosa Osmanin, hajt merreni që iniciativa vjen nga Ardian Shala,” – i tha znj.Osmani atij, përcjell Periskopi.
Më pas, Demaliaj foli nga vendi dhe tregoi për një premtim që i kishte bërë kur kryekuvendarja e kishte marrë detyrën.
“Të kam premtu që për çdo iniciativë ke me pasë përkrahjen time. Të përgëzoj për iniciativën. Vetëm që duhet me pas kujdes në mënyrën se si është shtru.” – tha ai.
Kuvendi vazhdon diskutimet për ligjin anti-Covid ndërkohë që në sallë janë një numër mjaft i vogël deputetësh./Periskopi























