Connect with us

Kosovë

Abazi nga VV për zgjedhjet në Maqedoni: Nuk ishin rezultatet që prisnim

Publikuar

Boiken Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje është ndër të parët që ka reaguar për rezultatet zgjedhore në Maqedoninë e Veriut që e nxorën fitues LSDM-në e kryeministrit Zaev, ndërkohë që ndër shqiptarë i dhanë pozitën e të parës BDI-së së Ali Ahmetit. 

Abazi ka deklaruar se këto nuk ishin rezultatet që “prisnim… por janë megjithatë shpresëdhënëse,”

VV e kishte mbështetur Aleancën për Shqiptarët që udhëhiqet nga Zijadin Sela. Kjo parti politike doli e dyta ndër partitë shqiptare duke i fituar rreth 12 deputetë.

Për dallim nga përkrahësit e Ali Ahmetit që kanë shpallur fitoren, Abazi megjithatë ka një paralajmërim të fortë duke thënë që “ky duhet të jetë sinjal i fortë që u tregon se ose duhet të ndryshojnë ose do të tejkalohen”, përcjell Periskopi.

Statusi i plotë: 

Në Maqedoninë e Veriut deputetët shqiptarë, nga rezultatet paraprake, duket se kanë fituar në total rreth 32 mandate nga 120, që mund të përkthehen si në vijim: 15 BDI, 12 Aleanca me Alternativën, 1 PDSh dhe 4 Besa (në koalicion me LSDM, fituesen e zgjedhjeve). Të gjitha subjektet shqiptare janë rritur, përveç PDSh. Megjithatë, nuk mjafton të jesh shqiptar. Nga këta deputetë që kanë fituar tani priten qëndrime këmbëngulëse në mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të barabarta të shqiptarëve si komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Këto rezultate nuk ishin ato që prisnim në lidhje me ndryshimin në Maqedoninë e Veriut, por janë megjithatë shpresëdhënëse, duke treguar se ka hapësirë për rritjen dhe fuqizimin e forcave të reja politike nëse punojnë në përputhje me interesat e shqiptarëve. Ndërsa, sa i takon forcave të vjetra politike, ky duhet të jetë sinjal i fortë që u tregon se ose duhet të ndryshojnë ose do të tejkalohen.

NA NDIQ NË FACEBOOK