Kosovë
A kishin të drejtë prokurorët që i bënë publike akuzat ndaj Thaçit?

Edhe nëse Prokurori i Specializuar do të mund të justifikohej nga aspekti ligjor, pyetjet themelore mbeten: Pse ishte “e nevojshme”? Pse në këtë moment të dyshimtë? Dhe çfarë shpresonte të arrinte ai duke bërë këtë deklaratë shpërthyese?
Ndoshta njoftimi për shtyp synonte thjesht që vëmendja të binte tek këta dy të pandehur të përmendur me emër, për t’i dekurajuar ata dhe shumë nga bashkëpunëtorët e tyre nga ndjekja e një komploti sekret për të shfuqizuar ligjin për krijimin e gjykatës ose për të penguar ndryshe punën e saj.
Dhe mund të ketë pasur shumë urgjencë të madhe në përhapjen e këtij informacioni, mesazhi i të cilës ishte: “Ne e dimë se çfarë po bëni ju dhe miqtë tuaj dhe ky është një paralajmërim për t’i dhënë fund kësaj tani.”
Po pse me 24 qershor? Mos ndoshta kjo datë synonte të paralajmëronte amerikanët për statusin e pasigurt ligjor të Thaçit para takimit shumë të pritur në Uashington ku Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç kishin planifikuar të merrnin pjesë më 27 qershor, vetëm tre ditë më vonë?
Prokurori mund të ketë besuar se Thaçi do të përpiqej të negocionte një marrëveshje amnistie për veten e tij, një thashethem që ka qarkulluar prej kohësh. Por kjo nuk ka kuptim.
Në nenin 18 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të nënshkruar, si për ironi, nga Kadri Vesili si kryetar i parlamentit në vitin 2015, thuhet se “çdo amnisti që i jepet çdo personi për një krim ndërkombëtar … nuk do të jetë pengesë për ndjekjen penale ose dënimin” nga Dhomat e Specializuara.
Ndoshta prokurori ishte i shqetësuar se presidenti Donald Trump do të lavdëronte publikisht Thaçin dhe do të kritikonte Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Takimi ishte organizuar nga Richard Grenell, i dërguari special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, në një përpjekje për të bërë që të dy palët të flasin përsëri dhe, me shpresë, të arrinin një marrëveshje reciproke, veçanërisht për çështjet ekonomike, duke i hapur kështu rrugën një marrëveshje më gjithëpërfshirëse që do të vinte më pas.
Por Thaçi u tërhoq nga takimi pasi erdhi lajmi për aktakuzën, edhe pse ishte rrugës për atje. Kryeministri Hoti gjithashtu u tërhoq dhe Grenell e anuloi mbledhjen e cila nuk është planifikuar ende se kur do të mbahet përsëri.
Kështu, për shkak të njoftimit për shtyp, perspektivat për një marrëveshje dhe ngrohje të marrëdhënies midis Kosovës dhe Serbisë u prishën.
Koha kur u bë publike kjo aktakuzë bëri që William Walker, ish-ambasadori amerikan dhe kreu i Misionit të Verifikimit të OSBE-së në Kosovë, të thoshte në një intervistë për RTK në Kosovë më 9 korrik se ai ishte “shumë i zhgënjyer nga koha kur prokurori e bëri atë deklaratë”.
“Tani edhe unë e vë në dyshim kohën e deklaratës sepse presidenti Thaçi po udhëtonte për në Uashington për të marrë pjesë në samitin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë, si pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. Koha e deklaratës dhe përmbajtja e akuzave, unë mendoj se ngre pikëpyetje për motivin e vërtetë që fshihet pas saj”, shtoi Walker.
Por si do të kishte shkuar kjo situatë nëse takimi do të ishte mbajtur? SHBA-ja, natyrisht, nuk ka asnjë autoritet të rrëzojë ligjin e Kosovës që krijoi gjykatën ose të japë amnisti për shtetasit e huaj. Por presidenti Trump ka një post që i jep mundësinë të flasë për një çështje të caktuar.
Thaçi ka qenë gjithmonë një i preferuar në Uashington dhe Trump mund të bindej të bënte një deklaratë të fortë publike që mbështeste Thaçin dhe kritikonte gjykatën, sidomos nëse do të ishte arritur një marrëveshje thelbësore. Kjo zor se do të ishte e pazakontë pasi Trump shpesh kritikon gjykatat dhe gjykatësit amerikanë dhe bën atë që mundet për të mbështetur miqtë e tij që janë në rrezik ligjor.
Shtetet e Bashkuara admirohen në Kosovë dhe çdo deklaratë kritikuese nga Trump për gjykatën do të mund të kishte pasur efekt në prishjen e mëtejshme të legjitimitetit të saj midis qytetarëve të Kosovës, të cilët tashmë janë skeptikë për shkak të mandatit të saj të njëanshëm.
Por pyes veten nëse një Prokuror i Specializuar amerikan, tepër i respektuar dhe me shumë përvojë, me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, do të kishte guxim të përfshihej në makinacione kaq të larta.
Gjithsesi, kjo deklaratë e papritur, dramatike dhe jo ortodokse për shtyp meriton të sqarohet në interes të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Gjykatësi Dean B. Pineles është diplomuar në Brown University, Boston University Law School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Ai ka qenë gjykatës ndërkombëtar me EULEX-in nga viti 2011 deri në vitin 2013. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji.



















