Kosovë
1, 2, 3: Hapat që duhen ndjekur për t’i tërhequr pagesat tuaja nga Fondi Pensional

Sapo të futet në fuqi Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të marrin paratë nga Fondi Pensional i Kosovës.
Ky ligj parasheh që “pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë për qind (10%) të kursimeve persionale në FKPK apo në Fondet Pensionale, me rastin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia.”
Një gjë e tillë duket se e lë në vullnetin e lirë të vetë qytetarëve që të marrin ose të mos i marrin këto pagesa, shkruan Periskopi.
Ky ligj parasheh që tërheqja e mjeteve të bëhet pas aplikimit në formën elektronike brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
Kërkesat e pagesave do t’i shqyrtojë Agjencia e Regjistrimit Civil dhe institucionet e tjera relevante, megjithëse nuk është specifikuar koha që kanë në dispozicion.
Sapo të aprovohen kërkesat, paratë transferohen në llogaritë bankare të përfituesve.
Këto mjete, siç thotë ligji, do të jenë të përjashtuara nga tatimi në të ardhurat personale. /Periskopi
Neni 5
Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit Nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin Nr. 05/L-116
- Neni 7 i Ligjit Nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin Nr. 05/L-116 (këtu e tutje LFPK), në fund të paragrafit 2, shtohet teksti si në vijim:
Përjashtimisht, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në FKPK, në përputhje me nenin 12A të këtij ligji.
- Pas nenit 12 të LFPK-së, shtohet neni i ri me numrin rendor 12A, me tekstin si në vijim:
Neni 12A
Pagesa e kursimeve individuale pensionale për rimëkëmbje ekonomike
- Pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në FKPK apo në Fondet Pensionale, me rastin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
- Me qëllim të tërheqjes së mjeteve sipas paragrafit 1 të këtij neni, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda tre (3) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
- Me qëllim të shqyrtimit të kërkesave, me kërkesë të FKPK-së BQK-ja, Agjencia e Regjistrimit Civil dhe institucionet tjera relevante ndajnë të dhënat e nevojshme të pjesëmarrësve, me qëllim të shqyrtimit të kërkesave.
- Kërkesat e aprovuara nga FKPK transferohen në llogaritë bankare të përfituesve, në institucionet financiare të licencuara nga BQK-ja dhe tërheqja e mjeteve bëhet vetëm nëpërmjet llogarive bankare.
- Me qëllim të zbatimit të këtij neni, në rast nevoje Ministri i Financave autorizon Agjencinë Qendrore të Prokurimit për zhvillimin e aktivitetit të nevojshëm të prokurimit në emër të FKPK-së.
- Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga tatimi në të ardhurat personale.






















