Connect with us

Kosovë

Zyra e Hotit e mohoi, por në zyrën e Rakiqit sërish nuk shihet flamuri i Kosovës

Publikuar

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq është takuar sot gjatë ditës me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott. Edhe në këtë takim nuk është parë flamuri i Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Rakiq dhe Abbott kanë biseduar për situatën e krijuar nga koronavirusi si dhe për rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Si në takimet e mëparshme, as në këtë takim nuk u pa flamuri i Kosovës në zyrë. Megjithatë, shihet mbishkrimi, Republika e Kosovës.

Se flamuri i Kosovës nuk po mbahet në zyrën e zëvendëskryeministrit kanë raportuar mediat serbe. Ky lajm është demantuar nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti.Zyra e Kryeministrit në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se flamuri i Kosovës nuk është larguar nga hapësirat e Qeverisë, ku punon Rakiqi.

“Zëvendëskryeministri Goran Rakiq nuk e ka hequr asnjë simbol të Kosovës, as flamurin, nga Zyra e tij. Çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga Protokolli i shtetit, prandaj secili zyrtar është i obliguar t’i përmbahet këtij protokolli. Sa i përket rastit të përfolur në media, ju sigurojmë se simbolet janë aty ku kanë qenë dhe nuk ka pasur asnjë heqje të tyre”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Për këtë çështje ka folur edhe presidenti Hashim Thaçi sot. Ai tha se nuk kanë vend në institucione njerëzit që nuk respektojnë simbolet e Kosovës.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK