Kosovë
Veseli: Nga sot nisim punën për largimin e qeverive të mashtrimit dhe kthimin e PDK-së në krye të shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot nga Prizreni se vetëm partia që ai drejton mund ta bëj rimëkëmbjen kombëtare për shqiptarët.
Në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lideri i PDK-së ka zhvendosur lidershipin e partisë në kryeqytetin historik nga ku ka shpalosur vizionin e ri të PDK-së.
“Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve”, tha Veseli.
“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, tha Veseli.
Ai tha se në takim me Kryesinë qendrore të PDK në Prizren, po e fillon ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës së rimëkëmbjes kombëtare.
“Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë”, deklaroi Veseli.
Ai tha se në qeverisjen e kaluar PDK ka lidhur Prizrenin me Tiranën përmes autostradës së Kombit, ndërsa u zotua se në mandatin e ardhshëm do ta lidhë Prizrenin me Tetovën.


















