Connect with us

Religjion

T’u ndihmojmë njerëzve | Islam Press

Publikuar

me

Falënderimi i
takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë.
Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona.
Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë,
s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili është
Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Të nderuar xhemat!

Duhet ta dimë se nuk
ka asnjë të mirë në veprat pa dituri, dhe nuk ka asnjë nder në diturinë pa
vepra. Dituria kërkon vepra, kurse nga përsëritja dhe zbatimi i diturive dhe
veprave shfaqet sjellja jonë, ahlaku ynë.

Allahu i
Plotfuqishëm na ka shpallur:

“Ndihmoni
njëri-tjetrit në punë të mira dhe në devotshmëri, dhe mos ndihmoni në mëkate
dhe armiqësi! Dhe frikësohuni Allahut! Se, Allahu, dënon ashpër.”
(el-Maide, 2)

Muslimanët duhet të
zotërojnë cilësi pozitive, ndërsa shpëtimi i tyre është në punë dhe ndihmë ndaj
njëri-tjetrit, nëse ata duan të sigurojnë jetë të lumtur si në këtë botë ashtu
edhe në botën tjetër.

Allahu i
Plotfuqishëm thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (et-Tevbe, 71)

Pejgamberi (savs) ka
thënë: “Njeriu duhet të angazhohet për atë që është e ndershme dhe e
dobishme për të, dhe nuk guxon të presë dhe të shpresoj se ajo do të vjen vet
dhe do t’ia sjellë koha.”

Pejgamberi (savs), dashurinë
reciproke mes muslimanëve, e ka krahasuar me një organizëm: “Pjesët e të
cilit njëlloj e ndjejnë dhimbjen kur të sëmuret ndonjëra prej tyre.”

Gjithashtu, ka
thënë: “Asnjë prej jush nuk është besimtar i vërtetë, derisa të dëshirojë
për vëllanë e tij atë që dëshiron për vetveten.”
(Buhariu)

Çdo musliman në
vetvete duhet ta ketë të zhvilluar tiparin pozitiv për ta ndihmuar njeriun
tjetër kur ai të ketë nevojë për të. Nëse ne e shpenzojmë një pjesë të pasurisë
sonë në rrugën e Allahut, Allahu do të na e shumëfishojë atë dhe do të na i
falë mëkatet tona. Allahu i Plotfuqishëm shpërblen shumëfish dhe është i butë.

Në hadith thuhet: “Kushdo
që i gjendet vëllait të tij kur ai ka nevojë,  Allahu do t’i gjendet atij. Ai i cili vëllait të
tij musliman ia largon një problem në këtë botë, Allahu do t’ia largojë atij
problemin në Ditën e Gjykimit. Kushdo që ia mbulon një të metë vëllait të tij, Allahu
do t’ia mbulojë atij në Ditën e Gjykimit.”

Pejgamberi (savs), thotë:
“Atij i cili niset për t’ia plotësuar një nevojë vëllait të tij musliman, Allahu
për çdo hap do t’ia regjistrojë 70 shpërblime dhe do t’ia falë 70 mëkate.”

Vëllezër
të dashur!

Muslimani është i
obliguar që edhe jomuslimanëve t’ju dëshirojë çdo të mirë sikur për veten e
tij, sepse në një hadith tjetër thuhet se, mbarë botës duhet t’ia dëshirojmë
atë që dëshirojmë për vetveten, meqë ne të gjithë jemi njerëz nga mishi dhe
eshtrat, vetëm se ata e kanë mohuar Allahun e Plotfuqishëm, për çka ata, me
siguri do të dënohen.

Në kulturën islame
nevojat e njerëzve interpretohen si begati dhe mëshirë. Prandaj, ata që për
shkak të mundësive të tyre financiare, apo të statusit të veçantë shoqëror,
janë të ekspozuar ndaj aplikimeve të shumta dhe shfaqjes së nevojave të
njerëzve, duhet ta dinë se atyre iu është hapur dera e mëshirës së Allahut, sepse
begatia e shumtë nuk e lodh as nuk e mërzit askënd.

Transmetohet se
hazreti Husejni (r.a.) ka thënë: “Me të vërtetë, nevojat të cilat ua shfaqin
njerëzit juve janë begati të Allahut ndaj jush, andaj këto begati mos të ju
mërzisin!”

Prandaj, çdo
musliman duhet ta pranojë mirë këtë begati dhe mëshirë nga Zoti, dhe të përpiqet
sa më shumë që mundet për plotësimin e nevojave të atyre që i kanë, ndërsa nëse
këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë të paktën le të japin përgjigje dhe shpjegim që
jep shpresë.

Në raste të ngjashme
me këto, Pejgamberi (savs) vepronte kështu: “Kur dikush ia shfaqte nevojën e
tij, ai nuk e kthente pa ia përmbushur, ose të paktën ia lehtësonte me fjalë.”

Në çdo rast, nëse
dikush nuk mund t’ia plotësojë kërkesën nevojtarit, duhet të flasë me të në atë
mënyrë, që ai të mos mbetët i dëshpëruar apo i zhgënjyer.

Kurani famëlartë
thotë: “E nëse shmangesh nga ata, duke kërkuar mëshirën e Zotit tënd, të
cilën ti e shpreson, atëherë, thuaju atyre ndonjë fjalë të butë.”
(el-Isra, 28)

Pejgamberi (savs),
pas zbritjes së këtij ajeti, kur dikush prej tij kërkonte diçka, dhe ai nuk
kishte asgjë për t’i dhënë, thoshte: “Allahu na furnizoftë neve dhe juve nga
të mirat e Tij!”

Prandaj, ai që nuk
mund t’ia plotësojë nevojën e dikujt, ai duhet të paktën ta ngushëllojë me
fjalë që ngjallin shpresë, si p.sh.: “Shpresoj se Zoti do t’i përmbushë
nevojat tuaja, por edhe unë do të mundohem për juve me aq sa kam mundësi
” –
e kurrsesi të grindemi apo të sillemi vrazhdë dhe ta bëjmë të dëshpëruar.

Të nderuar xhemat!

Le të dëgjojmë
përkthimin e sures, të cilën shpesh e lexojmë në namaz, suren el-Maun
ose Erejtel-ledhi, siç e quajmë në gjuhën popullore:

1. A di ti për atë që e përgënjeshtron Ditën e
llogarisë (e shpërblimit)?

2. E ai është, i cili ashpër i dëbon jetimët.

3. Dhe nuk nxitë që të ushqejnë të varfrit.

4. Mjerë për ata, të cilët kur falen,

5. Janë të pakujdesshëm (të harrueshëm),

6. E veprojnë, vetëm sa për sy e faqe (para
botës),

7. Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as
hua)!
(el-Maun)

Pranë të gjitha
këtyre obligimeve, muslimani si anëtar i komunitetit musliman duhet të jetë i
vetëdijshëm për detyrat dhe obligimet si ndaj bashkësisë së tij, ashtu edhe
ndaj vendit të tij.

O Zot, të lutemi na
mbro nga brengat dhe pikëllimi.

Vetëm Ty të lutemi,
na mbro nga dobësia dhe përtacia.

O Zot, të lutemi na
mbro nga frika dhe koprracia.

Vetëm Ty të lutemi o
Zot, na mbro që mos të na mundin borxhet as mos të na mposhtin njerëzit! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

ZGJEDHJET PARLAMENTARE

MË TË LEXUARAT