Sport
Si të mposhtet Marquez? Casey Stoner ka disa këshilla për pilotët e Moto GP, thotë se ai do ta mposhte

Marquez ka qenë i pakonkurrentë në edicionet e fundit të Moto GP, por duket se spanjolli ka disa pika të dobëta.
Kështu së paku mendon ish anëtari i Ducati dhe Honda, i cili ka fituar 2 Kupa të Botës, 38 gara dhe ka përfunduar 69 herë në podium.
Sipas Stoner, Marc duhet shtyrë në limitet e tij, por jo duke e lënë atë që të vendos limitet, por duke shmangur lojën e tij.
“Marc është fantastik. Ai është shumë i shpejtë dhe reflekset e tij në shpejtësi janë të jashtëzakonshme. Askush nuk mund t’i afrohet. Por, unë kam ndjesinë që ai është në mënyrë konstante në limitet e tij, ndonjëherë pa nevojë. Marquez erdhi në Moto GP gati për të eksploruar limitet që nuk ishin eksploruara më parë”, ka thënë Stoner, transmeton lajmi.net.
“Kështu, mendoj se do të ishte më e mira të marrësh kreun dhe të bësh xhiro të shpejta në fillim të garës, kështu që ai të ndjek. Duke e vënë atë në limite, do ta bësh atë të jetë jo rehat dhe ai mund të gabojë”, ka shtuar australiani.
Tutje, Stoner ka treguar edhe nëse do të mund ta mposhte vet pilotin spanjoll.
“Lorenzo, Dovizioso dhe të tjerë që unë kam mposhtur, e kanë mposhtur Marquezin, kështu që nuk shoh arsye pse nuk do të mund ta bëja”, ka thënë mes tjerash Casey Stoner.
Stoner pensionohej në vitin 2012. Njoftimi erdhi si shok për botën e Moto GP. Ai e bëri këtë gjatë vikendit të Le Mans, duke shmangur edhe duelin me Marc Marquez. /Lajmi.net/






















