Connect with us

Religjion

Si e shohim Islamin dhe muslimanët pas koronës?

Publikuar

me

Dr. Mehmet Gormez

Autori është drejtor i Institutit për Mendimin Islam në Ankara, ish-president i Dijanetit të Republikës së Turqisë. Kjo është ekspozeja e tij në mbledhjen e Këshillit të Komisionerëve të Unionit Botëror të Dijetarëve Islamik, e cila u mbajt përmes video platformës, në mes të ramazanit në 1441 h. (maj viti 2020).

Shkruan: Dr. Mehmet Görmez

Ne, pa dyshim, po jetojmë në një kohë të vështirë, një
kohë që i përshkon të gjitha pjesët e globit dhe i prek të gjitha kombet e
botës. Prandaj, është e natyrshme që të presim ndryshime të mëdha brenda
bashkësisë njerëzore.

Përkatësisht, bashkësia njerëzore asnjëherë më parë nuk
është përballur me diçka të tillë, kështu që, unë them se, ne duhet të shkojmë
përpara ngjarjeve, jo t’i ndjekim ato, duhet të përgatitemi për atë që do të
ndodhë, dhe të mos bëhemi reagim i thjeshtë ndaj asaj që tashmë ka ndodhur.

Ne, megjithatë, do të mund ta bëjmë këtë, vetëm nëse i marrim
parasysh disa aspekte themelore, andaj ju lutem më lejoni që ato t’i diskutoj
këtu me ju.

1. Ne, si elitë intelektuale islamike, tani duhet t’i
ndjekim me kujdes komunikatat shkencore, të cilat vijnë nga qendrat e
specializuara shkencore dhe administrative, në të cilat flitet për botën pas
koronës, sepse ato janë llamba që lëshojnë dritë në errësirën e realitetit.
Institucionet e bashkësisë ndërkombëtare, qendrat kërkimore dhe institucionet
shkencore po bëjnë përpjekje të mëdha, për ta përgatitur njerëzimin – popujt
dhe qeveritë – për të panjohurën që po vjen. Prandaj, ne duhet t’i shfrytëzojmë
këto raporte, veçanërisht ato që nuk janë me ngjyra politike dhe të njëanshme
ndaj ndonjë vendi.

2. Ne, gjithashtu, duhet të dalim me konkluzionet tona
nga fusha dhe përvoja jonë në aspektin e fesë, besimit dhe thirrjes së të
tjerëve – të gjitha këto, në mënyrë që t’i përgatisim institucionet fetare, thirrësit
në fe dhe studiuesit fetarë për atë që do të vijë. Ne, megjithatë, këtë nuk do
të mund ta bëjmë, përveç nëse vetë depërtojmë në esencën e asaj që po ndodh dhe
kuptojmë se çfarë ndikimi do të ketë kjo pandemi për fenë dhe për njerëzit e
devotshëm. Jam i bindur, se kjo do të mund të realizohet vetëm duke i pasur
parasysh dimensionet e më poshtme:

a) Dimensioni sociologjik

Në këtë fushë, është e nevojshme të përcillen ndryshimet
në marrëdhëniet shoqërore të shkaktuara nga kriza aktuale. Përkatësisht, shumë
lidhje shoqërore, farefisnore, emocionale dhe familjare do të marrin aspekte të
ndryshme nga ato të mëparshme, aspekte  që do të karakterizohen me distancim në vend
që të afrimit, me ndarje në vend të tubimit, gjë që pa mëdyshje do të
reflektojë edhe në vetë devotshmërinë, sepse do ta ngushtojë rolin e fesë në
hapësirën publike, për shkak të ngushtimit të vetë hapësirës publike.

A do t’i kthehemi, pra, devotshmërisë individuale?

Nëse po, çfarë do të jetë natyra e asaj devotshmërie dhe
çka është në të konstante, e çka është e ndryshueshme?

Siç e dini, ekzistojnë lidhje fetare horizontale dhe
vertikale. Lidhja horizontale e drejton besimin brenda komunitetit musliman, do
të thotë, në mes të barabartëve për sa i përket niveleve – në këtë kontekst
është niveli i marrëdhënies robëruese ndaj Krijuesit, ndërsa lidhja vertikale
është: raporti i individit me Zotin e tij Suprem.

A duhet që nga ideja e një bashkësie të madhe fetare të
kthehemi drejt bashkësive të vogla familjare? Dhe, çfarë pasojash mund të ketë
kjo për të ardhmen e fesë si të tillë? Këto pyetje janë jashtëzakonisht të
rëndësishme, dhe ne duhet t’i shqyrtojmë ato me kujdes, në mënyrë që për to të japim
përgjigje adekuate.

b) Dimensioni politik

Shumica e studiuesve në fushën e shkencave politike konsiderojnë
se bota, të paktën, në disa vitet e ardhshme, do të rrëshqasë në kontroll të
shtuar të individit dhe, në një mënyrë ose një tjetër, do të notojë në shtet
totalitar, ndërsa, me siguri do të bëhet më pak e hapur ose mbase – më e
mbyllur, ashtu që secili shtet do të funksionojë më vete, ku komunikimet në
marrëdhëniet ndërkombëtare do të zhvillohen përmes internetit.

Pra, cili do të jetë pozicioni ynë në atë rast? A do t’i
mbështesim liritë e përgjithshme, apo do ta zgjedhim fuqinë e shtetit dhe
mbrojtjen e sigurisë? Unë nuk po ofroj përgjigje, thjesht vetëm po bëj pyetje,
të cilat duhet ta shënojnë diskursin tonë të ri, diskursin e ardhshëm fetar.

c) Dimensioni ekonomik

Disa raporte tregojnë se ekonomia botërore vitet e
ardhshme mund të dobësohet deri në 70 përqind si rezultat i krizës aktuale. Dhe,
si rrjedhojë e kësaj, mund të presim që ekonomia botërore të përdorë zgjidhje
të reja, disa prej të cilave mund të jenë katastrofale për klasën e mesme dhe
të varfër, ndërsa disa të tjera, mund të jenë shfrytëzuese e jo zhvillimore,
kështu që uria dhe mjerimi mund ta kapin pjesën më të madhe të njerëzimit.

Në këtë mënyrë, ne do t’i humbnim presupozimet e jetës së
mirë dhe luksit në vendet që dikur kishin mjaft pasuri ose madje ishin të pasura.
Pra, si do të reagojmë ndaj këtyre ndryshimeve? Si do të vendosim parime në jurisprudencën
fetare (fikh) për një mjedis, i cili e ruan kapitalin dhe kujdeset për të
drejtat e të varfërve dhe mundin e punëtorëve, pa gabuar në aspektin e përgjithshëm
të rrjedhës zhvillimore në një shtet, e më pas edhe në të gjithë botën?

d) Dimensioni arsimor

Kriza plotësisht e ka ndryshuar fytyrën e arsimit. Arsimi
qysh moti ka qeverisur me të gjitha nivelet – nga shkolla fillore deri tek
konferencat e specializuara shkencore. Ne në kulturën tonë islame, kemi trashëguar
forcën e plotë në lëvdimin e narracionit gojor dhe të ulurit para dijetarëve.

Dijetarët në vendin tonë, nuk janë vetëm rezervuarë të diturive,
por ata janë shkolla të gjalla morale, kështu që me futjen e tyre në rrjetet
sociale dhe me përgjithësimin e specifikave të ligjit të sheriatit, ne do të hyjmë
në një fazë të re, për të cilën duhet të vendosim parime dhe ta kuptojmë, që të
mund të korrespondojmë me të, para se të na rrëshqasë nga duart tona në mënyrë
të pakthyeshme.

e) Dimensioni moral

Kriza ka nxjerrë në dritë moralin e shteteve, por edhe
moralin e individëve.

Shumë vlera të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucione
të bashkësisë ndërkombëtare u tërhoqën para interesave. Atëherë, si mundet
muslimani si individ ta ruajë moralin e tij në një klimë të tillë, të mbushur
me pragmatizëm?

Si mundet shteti musliman t’i ruajë vlerat e tij gjatë përballjes
me komunitetin botëror, i cili udhëhiqet vetëm nga interesat dhe fitimet? Për
më tepër, si mund t’i ruajmë lidhjet morale edhe në nivelet më të ulëta: me të
afërmit, me fqinjët dhe me miqtë? Dhe në çfarë baze?
A do të jetë tani muslimani më shumë individ? A do të jetë ajo, e drejtë, e
ligjshme dhe që është në interesin e tij?

f) Dimensioni shkencor

Këtë aspekt e kam lënë për fund, për të theksuar
ekstremitetin dhe gjithëpërfshirjen e tij. Disa intrigues dhe teveqelë e kanë
ndezur flakën e luftës midis fesë dhe shkencës dhe, ndoshta madje, kanë
ringjallur trashëgiminë e vjetër evropiane, në të cilën feja dhe shkenca
luftojnë për faktet e jetës. Një madje ka deklaruar se “një mjek është më
i mirë se 150 mijë imamë!” dhe kështu është kthyer në keqkuptim të fesë,
ose keqkuptim të shkencës.

Feja, në të vërtetë, kurrë nuk ka pohuar se ka ardhur për
të shëruar nga viruset, për procedura kirurgjikale ose gjetje të vaksinave, sikurse
që njeriu nuk ka ardhur me mjekësi për t’i shëruar vuajtjet shpirtërore dhe për
ta vëzhguar rrjetën e komunitetit. Kjo krizë na ofron një mundësi të artë për ta
rishpjeguar natyrën e raportit midis shkencave fetare dhe natyrore, përkatësisht,
raportin e shkencave fetare me secilën prej tyre. Është gabim të trajtohen këto
shkenca, përfshirë edhe mjekësinë, si shkenca “jo fetare”, siç është
e zakonshme në praktikë, në krahasim me shkencat fetare: fikh, tefsir etj.

Tani kemi mundësi të mirë dhe duhet të përpiqemi ta
shfrytëzojmë këtë, dhe mos ta humbim atë me grindje margjinale të fikhut dhe
dilemat e parëndësishme të akaidit. Ejani që këtë telashe ta kthejmë në
mundësi, kurse këtë karantinë ta kthejmë në rishqyrtim, në mënyrë që brezave të
ardhshëm tu lëmë trashëgimi shkencore, me të cilën ata do të udhëhiqen dhe do
t’i drejtojnë edhe të tjerët.

Të nderuar dijetarë fetarë, ju lutem të më falni që kam qenë
pak i shkujdesur dhe kam folur me vonesë për këtë çështje. Unë besoj se në këtë
grup këtu, ekziston një pjesë elitare e dijetarëve muslimanë, më të mëdhenjtë e
tyre. Unë me të vërtetë besoj se diskutimet e mia për çështjet dhe rregullat e
diskutueshme – si shembulli i apostazisë etj. – duhet t’i zëvendësojmë me
çështje vizionare, të rëndësishme për të ardhmen e bashkësisë muslimane
botërore dhe të brezave që do të vijnë.

Ju lutem, merrni pjesë në diskutimin e secilës nga pikat
e përmendura më lart, dhe shtojini atyre çfarëdo që ju duket e përshtatshme.
Qëllimi ynë le të jetë ta miratojmë një konkluzion mbi gjendjen e fesë dhe
devotshmërisë në botën islame pas koronës, sikur ato konkluzionet që vijnë nga
institucionet zyrtare, në mënyrë që dijetarët, thirrësit fetarë, por edhe
institucionet, të mund të thërrasin në to dhe t’i përdorin ato, dhe ta bëjmë
atë shenjë se mendimi islam është kthyer nga marrja me të kaluarën në marrje me
të ardhmen.

(Preporod.info)

Përkthim: Miftar Ajdini

ZGJEDHJET PARLAMENTARE

MË TË LEXUARAT