Kosovë
Shoqata e Gazetarëve, AGK, dënon tentim-zjarrvënien ndaj veturës së gazetarit Kajtazi

Liria e gazetarëve në Kosovë vazhdon të jetë mjaft e rrezikuar gjatë vitit 2020 dhe kjo ilustrohet edhe me lajmin se është tentuar t’i digjet vetura gazetarit Shkumbin Kajtazi. Ky sulm që përbën kërcënim të hapur është dënuar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK ka thënë se e dënon ashpër kërcënimin ndërsa ka raportuar për ngjarjen e shëmtuar.
Drejtuesit e kësaj shoqate deklarojnë se menjëherë kanë dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për të mbledhur informacione rreth rastit, shkruan Periskopi.
AGK iu ka bërë thirrje organeve të rendit që të hetojnë motivet prapa këtij sulmi sa më herët.
Reagimi i plotë:
AGK dënon ashpër kërcënimin ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi
PRISHTINË 14.06.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin se është tentuar të digjet vetura e gazetarit, Shkumbin Kajtazi.
Kajtazi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se mbrëmë në rrugën “Evlia Çelebia” në Mitrovicë, një person kishte tentuar t’ia digjte me benzinë veturën e tij. Këtë akt, sipas gazetarit e kanë parandaluar banorët e kësaj rruge, të cilët e kishin njoftuar edhe Policinë e Kosovës.
Sipas Kajtazit, PK ka siguruar një videoincizim ku duket kryesi, e po ashtu Forenzika ka gjetur në vendin e ngjarjes shishen nga e cila u derdh benzina.
AGK menjëherë ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës që të marrë më shumë informacione rreth këtij rasti.
AGK kërkon nga organet e drejtësisë që urgjentisht të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë.
Kërcënimet e tilla për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, të cilat e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.





















