Connect with us

Kosovë

Rrëfimi i gruas nga Prishtina e cila ka qëndruar me persona që kanë dalë pozitiv por nuk u testua kurrë për koronavirus

Publikuar

L.R. nga Prishtina (emër i njohur për redaksinë) është rasti i parë i kontaktit të personit me sëmundjen Covid-19, por që nuk ka arritur të testohet për këtë sëmundje për shkak se nuk ka pasur ndonjë simptomë të paraqitur.

Ajo punon në një institucion shtetëror në Prishtinë ku janë konfirmuar disa raste pozitive.

“Dy koleget e mija kanë dalur pozitive me koronavirus, unë kam qëndruar me të dyjat, por me njërën më shumë. Më 19 qershor kam shkuar në Klinikën Infektive dhe kam treguar se jam rast kontakti. Më kanë thënë se nuk bëjmë gjurmimet e kontakteve, vetëm nëse paraqiten probleme me frymëmarrje mund të lajmërohem. Kështu që nuk kam mund ta bëjë testin. Deri më tani nuk kam ndonjë simptomë”, tregon ajo.

Ajo thotë se është e shqetësuar pasi jeton në një objekt bashkë me dy të moshuar.

“Problem është se përveç familjes sime, unë jetoj edhe më dy prindërit e burrit dhe janë mbi 70 vjeç. Tash po rri në shtëpi. Unë kujdesem, vendosi maskë, pastroj duart, por problemi është se qëndrimi në një shtëpi nuk ke si të ruhesh. Për këtë unë dëshirova të bëjë testin, të vërtetoj se a jam infektuar, për shkak se mund të rrezikoj dy vjehrritë e mi”, tha ajo.

Në ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të hënën ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë, që “mos të testohen personat asimptomatikë, por udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore”.

Në rast të shfaqjes së simptomave, ata munden të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë.

Në dokumentin e rekomandimeve të IKSHP-së, që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thuhet se “me rritjen e numrit të rasteve të detektuara në dy javët e fundit si dhe largimin e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve të Kosovës, kapacitetet laboratorike janë të kufizuara për testim të çdo kontakti eventual të rasteve të konfirmuara me Covid-19”.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se këto janë edhe rekomandime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për ndryshime të kushteve të parapërgatitjes, së parandalimit të rasteve me Covid-19.

Ai tha se varësisht prej situatës ndryshojnë edhe rrethanat.

Ndryshe, pas lirimit të masave kundër sëmundjes Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi, hapja e menjëhershme dhe lëvizja e pakufizuar e njerëzve ka rritur numrin e të infektuarve në këto dy javët e fundit.

Valbon Krasniqi, infektolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas lehtësimit të masave shqetësuese mbetet fakti se personat me Covid pozitivë dhe familjarët e tyre po qarkullojnë lirshëm dhe nuk po kufizojnë lëvizjet e tyre çka paraqet rrezik të shtuar për përhapje të virusit.

NA NDIQ NË FACEBOOK