Connect with us

Religjion

Realizmi socialist si uzinë e prodhimit të urrejtjes ideologjike

Publikuar

Milazim KRASNIQI

Realizmi
socialist që nga lindja e vet si rrymë letrare ka qenë një rrymë e panatyrshme,
sepse duke u imponuar nga ideologjia bolshevike dhe nga shteti totalitar
sovjetik, në plan të parë e ka pasur imponimin e diktatit ideologjik mbi artin,
e jo përjetimin dhe afirmimin e vlerave estetike. Objektivi kryesor i realizmit
socialist, që nga akordi ndërmjet Stalinit e Gorkit në vitin 1932[1],
për konstituimin e një modeli normativ letrar, ishte glorifikimi i socializmit
dhe i atdheut ku ai u instalua për herë të parë dhe denoncimi i armiqve të
socializmit e të BRSS-së. Rrjedhimisht, potenca e kësaj rryme ideo-artistike në
denoncimin e Tjetrit, veçmas në letërsi, ishte shumë e fuqishme, sepse duke e
ballafaquar botën e idealizuar të socializmit dhe të BRSS-së me botën tjetër,
krijohej hapësira për përplasje të fortë të këtyre dy botëve, me epilogun ku
socializmi dhe atdheu i tij, pashmangshëm konceptoheshin si fitimtarë.  Kjo linjë ideologjike e realizmit socialist për
konfrontimin me Perëndimin dhe me rrymat moderniste në art, ishte dominate që
nga viti 1934[2],
kur u miratua zyrtarisht në Kongresin e shkrimtarëve sovjetikë doktrina e re,
por u bë shumë më agresive nga viti 1946, kur u imponuan dekretet e Zhdanovit për
luftimin e ndikimeve të Perëndimit në art e në kulturë.

Me gjithë oscilimet
dhe variacionet e veta, realizmi socialist esencialisht është brenda këtij
kuadri, të cilin e ka skicuar Çeslav Milloshi:  
  

“Realizmi socialist mbështetet në identifikimin e “së
resë” me proletariatin dhe të proletariatit me Partinë. Ai paraqet qytetarë
shembullorë, komunistë (të shkruar në Parti ose jo) – dhe armiq të klasës.
Ndërmjet këtyre dy specieve tipike, janë ata që ngurrojnë, të cilët, sidoqoftë,
sipas prirjeve që do të tregohen më të forta tek ata- duhet të kalojnë në
njërin kamp ose tjetrin. Ky evoluim, që mbyllet me fitoren totale të së mirës
ose me rrënimin moral përfundimtar, përbën (krahas figurave krejt të gatshme të
njerëzve tanë dhe të armiqve) të vetmen temë të letërsisë.”[3]
 

Pikërisht në kohën
kur triumfoi tërësisht platforma zhdanoviane brenda realizmit socialist, kjo
rrymë letrare filloi të imponohej edhe në letërsinë shqipe. Pra, takimi i vërtetë
i letërsisë shqipe me realizmin socialist ndodhi kur ai ishte në majat e
militantizmit ideologjik, i instrumentalizuar edhe si kundërvënie ndikimeve nga
bota perëndimore. Meqë letërsia shqipe pas Luftës së Dytë Botërore u mbështet masivisht
në frymën ideologjike dhe tematike të letërsisë sovjetike, kjo gjë pati
ndikimet e veta direkte edhe sa i përket injektimit të armiqësisë ndaj Perëndimit
dhe ndaj letërsisë moderne.    

Penetrimit të kësaj
rryme ideo-artistike, kishin filluar t’ia hapnin rrugën vargjet e këngëve
partizane gjatë luftës antifashiste. Disa nga autorët e këtyre teksteve si
Andrea Varfi, Fatmir Gjata, Kolë Jakova, Qamil Buxheli, Shefqet Musaraj, Vehbi
Bala, etj., më vonë u bënë figura të njohura të rrymës së realizmit socialist në
letërsinë shqipe. [4]

Mirëpo, menjëherë
pas instalimit të regjimit komunist në Shqipëri (1944), vendin e optimizmit militant
të këngës partizane, e zuri vala e terrorit ideologjik e policor, me të cilën
edhe u instaluan brutalisht konceptet e realizmit socialist mbi letërsinë
shqipe.

Në valën e
terrorit që shpërtheu, disa nga shkrimtarët e njohur si Anton Arapi, Bernardin
Palaj, Lazër Shantoja, Ali Tomorri, Gjon Shllaku, u pushkatuan. Ndërsa numri i
të dënuarve e i të ekskomunikuarve, si armiq, ishte shumë i madh. [5]

Eliminimi nga
jeta publike e politike edhe i Sejfulla Malëshovës, ishte pika kulmore e këtyre
taktikave të terrorit, që e imponuan me dhunë realizmin socialist në letërsinë
shqipe, si rrymën zyrtare dhe të vetme.[6]

Pas asaj vale terrori,
e cila e gjymtoi letërsinë shqipe, filloi etapa e konsolidimit të kësaj rryme,
me anën e imponimit të dhunshëm të rregullave të doktrinës, po edhe të ofrimit
të privilegjeve ndaj shkrimtarëve, që po bëheshin entuziastë të aplikimit të
saj. Edhe në rastin shqiptar, pak a shumë është i njëjti model, që ka përshkruar
Çesllav Milloshi në librin “Mendje e robëruar”, për mënyrat se si i rekrutonte
shkrimtarët regjimi i “demokracive popullore”, me kombinimin e presioneve
politike dhe të favoreve sociale e ekonomike.[7]
Ndër detyrimet që merrnin përsipër shkrimtarët nga regjimi, krahas glorifikimit
të ideologjisë komuniste dhe të udhëheqësve komunistë, ishte edhe pranimi që të
portretonin armiqtë e socializmit dhe armiqtë e klasës, si të huaj, si armiq
dhe veçmas Perëndimin dhe artin modern.

Bile përderisa në
vitet pesëdhjetë, autorët prijatarë të kësaj rryme në prozë, Ali Abdihoxha,
Dhimitër Shuteriqi, Kolë Jakova, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata e ndonjë tjetër,
përpiqeshin me përparësi të krijonin mitin e figurës së partizanit dhe
komunistit të pathyeshëm [8],
në vitet gjashtëdhjetë filloi të forcohej më shumë linja zhdanoviste e
denoncimit të Perëndimit dhe të artit modern si armiq të tërbuar të klasës, të
partisë e të Shqipërisë. Theksimi i kësaj prirjeje ksenofobike, nën pretekstin
e armiqësive të freskëta të luftës së fundit botërore, binte më së shumti mbi
Italinë, Vatikanin e Gjermaninë, po edhe të tjerët. Perceptimi sipas të cilit
italianët ishin injorantë e frikacakë, ndërsa gjermanët të pashpirt e torollakë,
u ngrit në normë në disa nga veprat letrare po edhe kinematografike të kësaj
periudhe. [9]

Qoftë dhe vetëm
për këtë element tipik zhdanovist të portretimit negativ të Perëndimit, nuk
mund të pranohet teza se gjoja në vitet gjashtëdhjetë kishte një largim të letërsisë
shqipe nga rryma e realizmit socialist. E kundërta është e vërtetë.  Në vitet gjashtëdhjetë realizmi socialist u
konsolidua edhe më shumë, por u kamuflua me disa shkrimtarë të talentuar, si
Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, por të cilët esencialisht ishin
dhe mbetën shkrimtarë të kësaj rryme ideo-artistike. Ata nuk ishin vulgar në
imponimin e stereotipeve ideologjike si pararendësit e tyre, por prapë ishin brenda
asaj ideologjie. Ata e modifikuan në disa aspekte praktikën e realizmit
socialist në letërsinë shqipe, por vazhduan ta aplikonin në treguesit e tij
kryesorë ideologjikë. Pse ndodhi ai modifikim i lehtë?  

Modifikimi i
realizmit socialist në letërsinë shqipe në fillim të viteve gjashtëdhjetë ndodhi
jo pse u shfaqën në letërsi disa shkrimtarë të talentuar në këtë kohë, por
ngase në vitin 1961 u bë shkëputja politike e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik,
me çka u kompromentua përvoja e deriatëhershme e imitimeve nga letërsia
sovjetike. Megjithatë, u ruajtën dhe u kultivuan ata tregues ideologjikë që do
t’i hynin në punë regjimit komunist shqiptar, ngase regjimi po e sforconte
politikën e vetizolimit, për çka do t’i hynte në punë edhe fryma antiperëndimore
në letërsi, si një armë ideologjike dhe propagandistike shtesë.

Në planin
tematik, pas shkëputjes nga imitimet tematike nga letërsia sovjetike, u bë një
kompensim i ndjeshëm, me futjen e disa temave nga jeta kombëtare, duke e
shartuar ashtu socializmin me kombëtarizmin, me çka u krijua hapësira për ta
glorifikuar edhe më lehtësisht Partinë e Punës dhe liderin e saj, Enver Hoxhën.
Pse? Sepse rikthimi i temave nga e kaluara e lavdishme, ishte në funksion të
krijimit të alibisë për glorifikimin enorm të figurës së Enver Hoxhës edhe në
letërsi. [10]

Shqipëria e
konfrontuar me botën dhe e izoluar prej saj, duhej të paraqitej e fortë, e
lavdishme, mitike, e pathyeshme përballë të huajve, që pothuajse me automatizëm
ishin armiq. Ajo ishte e vetëmjaftueshme dhe triumfuese. “Romani “Dimri i
vetmisë së madhe” i Ismail Kadaresë është monument i këtij shartimi të
socializmit e kombëtarizmit, për ta afirmuar socializmin në përmasa mitike dhe
për ta paraqitur triumfues liderin e komunizmit shqiptar në përmasa legjendare.

Megjithatë, si
një letërnjoftim që bëhet dëshmi e një identiteti, pikërisht në fillim të
viteve gjashtëdhjetë, shfaqen tre vepra letrare të shkrimtarit më të afirmuar të
letërsisë shqipe dhe të realizmit socialist, Ismail Kadaresë, të cilat ishin
fort të ngarkuara me frymën realsocialiste të urrejtjes ndaj Tjetrit, veçmas
ndaj botës imperialiste. Më 1962 Kadare botoi “Poemë blindazh”, 1962-1964 poemën
“Përse mendohen këto male” dhe më 1963 romanin “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur.” (Romani ‘Dasma” në vitin 1966  i
bënë më shumë jehonë revolucionit kulturor kinez, se sa realsocializmit
zhdanovist.) Në këto tre vepra letrare të Kadaresë, krahas evokimit të krenarisë
kombëtare, edhe aty ku nuk ka fare vend për krenari, (varfëria ekstreme e
shqiptarit dhe vetizolimi i tij, fjala vjen[11]
spikatë fryma izolacioniste dhe ksenofobike, që tashmë ishte imponuar si
politikë shtetërore nga regjimi komunist.

Poemat “Përse
mendohen këto male” dhe “Poemë blindazh” të kësaj periudhe kohore, e kanë shumë
të theksuar frymën ksenofobike. Kjo frymë kundër botës tjetër, spikatë
posaçërisht në këto vargje të poemës “Përse mendohen këto male” të cilat në një
mënyrë edhe i paraprijnë revolucionit kulturor dhe aksionit politiko-policor të
vitit 1967 për ndalimin e besimeve fetare në Shqipëri:   

Kryqi i
Krishtit, gjysmëhënë e Islamit,

Peizazhet e tua
kërkonin t’i ndanin.

Turqishtja e
kuranit, e arabëve përçartja,

Logjika latine,
me frazat e gjata

Përpiqeshin të
shkurtonin pushkën e gjatë.

Dhe fjalët
latinisht dhe fjalët arabisht

Mbi tytën e saj
binin ndryshk[12]

Ndërsa, romani “Gjenerali
i ushtrisë së vdekur” është ekzemplar tipik i kësaj fryme ksenofobike, ku
spikatë urrejtja ndaj të huajve, sa edhe urrejtja e të huajve ndaj shqiptarëve,
me çka sugjerohet vetizolimi që do të pasojë në vitet në vijim.

Romani edhe fillon
me një fjali me ngarkesë të fortë denoncuese për Tjetrin, të huajin, që vjen në
Shqipëri. Deri sa e hap perden për ta paraqitur në skenë gjeneralin, narratori
nuk përdorë sintagmën “tokë shqiptare” që do të ishte më e logjikshme për një person
të sapoardhur, po sintagmën “tokë e huaj”.  

“Mbi tokën e huaj binte shi dhe dëborë përzier
bashkë.”[13] 

Pra, i huaji, i sapoardhuri,
e emërton tokën ku vjen “tokë e huaj”, me çka përplasja identifikohet që në
fjalinë e parë.  Po ky narrator, pas tre
fjalish thotë për gjeneralin:

“ Ai po vinte në Shqipëri nga një shtet i huaj, për
tërheqjen e eshtrave të ushtarëve të vrarë në luftën e fundit dhe të shpërndarë
në të katër anët e Shqipërisë.” [14]

 Theksimi “tokë e huaj” përsëritet disa herë në roman, duke e identifikuar
ndarjen ideologjike, morale dhe politike mes personazheve “tona” dhe “të
huaja”.  Në anën e të mirëve janë
shqiptarët, që nga specialisti, punonjësit, fshatarët e deri te plaka Nicë, ndërsa
në anën e të këqijve gjenerali, Prifti, gjeneralejtanti, Koloneli Z. (Vetëm një
i huaj është pozitiv në roman, ushtari italian i dorëzuar, i poshtëruar, që shërben
si shërbëtor.)  Ashpërsinë me të huajin,
me Tjetrin, si platformë ideologjike të realizmit socialist, Karareja e
artikulon më së miri në dialogun ndërmjet gjeneralit e priftit, kur ata të dy flasin
për shqiptarët. Ata në dialogjet e tyre portretohen si cinikë dhe armiqësorë
ndaj shqiptarëve, që vetëm përkohësisht e fshehin urrejtjen:  

-“Shqiptarët gjithmonë kanë pasur qejf të vrasin ose
të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë patur me kë të
luftojnë. Keni dëgjuar për gjakmarrjen e tyre?”  

– Domethënë, ky popull, me këtë etje që ka për
asgjësim ose vetëasgjësim, është i destinuar të zhduket,- tha gjenerali.

– Natyrisht. 

-Ne të dy i urrejmë ata, por tani për tani nuk e
themi, se kështu është puna…[15]

Zbulimi i urrejtjes
pothuajse raciste të të huajve ndaj shqiptarëve, është njëra nga linjat
ideologjike të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sigurisht në unison me
 kërkesat e reja të regjimit, për ta
sforcuar konfrontimin ideologjik me Perëndimin. Edhe batuta se mungon vetëm
edhe një gjeneral me hoxhë, për të mbledhur eshtrat e ushtarëve turq, edhe
kapitulli me plakën Nicë, i bëjnë jehonë ideologjisë komuniste shqiptare dhe
frymës ksenofobike të realizmit socialist, për luftë kundër të gjithë të
tjerëve.

Por, të huaj e
armiq sipas këtij romani janë edhe kundërshtarët politikë e ideologjikë të
regjimit komunist, gjë që e ilustron pyetja e fshatarit se a do të nxjerrin nga
dheu edhe ballistët e vrarë e të dëbohen nga atdheu. Pra, kjo është platforma
ideologjike e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romanit më të rëndësishëm
të kësaj rryme letrare në letërsinë shqipe.

Meqë Kadareja ka
qenë dhe ka mbetur shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe të gjysmës së
dytë të shekullit XX, që mbulohet tërësisht nga realizmi socialist si rrymë
zyrtare, atëherë vepra e tij letrare paraqet adresën kryesore edhe për studimin
e vlerave dhe antivlerave të kësaj rryme në mbarë letërsinë shqipe. Ky autor u
ka dhënë ritmin dhe ngjyrën temave dhe ideve kyçe, që janë imponuar si
stereotipe nga realizmi socialist.           

Për ta kuptuar më
mirë gjithë veprën letrare të shkrimtarit më të rëndësishëm të realizmit
socialist, nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes faktin që Kadareja është edhe
teoricieni më i rëndësishëm i kësaj rryme ideo-letrare. Analiza e tezave
kryesore të traktatit të tij, e bënë më të qartë edhe veprën e tij e edhe
angazhimin politik e qytetar të tij. Në traktatin teorik me titull, “Realizimi
socialist – arti i madh i revolucionit”,
të botuar në organin e Partisë
së Punës, ‘Zërin e Popullit” më 13 janar 1974, Kadareja ka skicuar platformën
teorike-ideologjike të kësaj rryme, duke e identifikuar veten si njërin prej
shkrimtarëve të saj. Ky traktat ka një rëndësi të madhe, për ta njohur natyrën
e vërtetë të realizmit socialist në letërsinë shqipe, prandaj është e habitshme
që studiuesit e lënë anash sistematikisht. 

Esenca e
traktatit të Ismail Kadaresë, që është produkt i përvojës së tij si shkrimtar,
konsiston në këto tre pika: 1) që letërsia të jetë në shërbim të
revolucionit,  2) që të triumfojë edhe në
letërsinë shqipe fryma e eliminimit të ndikimeve të huaja, evro-perëndimore,
borgjeze, moderniste dhe 3) të eliminohet tradita letrare e shkrimtarëve
nacionalistë, me Fishtën e Koliqin në krye.

Lidhur me detyrën
që kishte letërsia në shërbim të revolucionit, Kadare shkruan qartë dhe me
vendosmëri revolucionare:

“Realizmi socialist është art i së
ardhmes. Asnjë art i gjertanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm më të për nga
mundësitë, epiciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli i lartë ideoartistik.
Këtë omnipotencë ja jep atij revolucioni komunist. Liria që zbërthen
revolucioni është më e madhja liri që është parë ndonjë herë mbi këtë rruzul,
sepse ajo është liri e milionave. Përpara kësaj lirie zbehen si qirinj, liritë
e tjera të kënduara apo të pakënduara në odetet e poetëve. Realizmi socialist
si pjellë e revolucionit gëzon po atë liri të revolucionit. Ai nuk u bindet
kanoneve, rregullave dhe dogmave, sic pretendojnë armiqtë e tij të hapur, ose
miqtë e tij të rremë. Ai u bindet vetëm ligjeve të revolucionit, i njeh dhe i
respekton ato ligje, dhe pikërisht në këtë qëndron jo dobësia dhe
jetëshkurtësia e tij, por përkundrazi forca dhe pavdeksia e tij.”[16]   

Ndëra
lidhur me eliminimin e ndikimeve të huaja, Kadare pohon:

“Në të tridhjetë vjetët e moshës
së saj, letërsia jonë e re e realizmit socialist ka njohur suksese dhe gëzime
të mëdha. E vënë pa asnjë rezervë në shërbim të revolucionit, komuniste dhe
kombëtare njëkohësisht, ajo i ka larë njëherë e përgjithmonë llogaritë me
gjithë ndryshkun shekullor të artit feudal – borgjez, me misticizmin, irealizmin,
sentimentalizmin, bulevardizmin, me historitë iluzive të vajzave të të varfërve
me ‘princët e kaltërt’, me një fjalë gjithë trillimet e kuzhinave shekullore të
botës së vjetër. Ajo ka vazhduar të bëj një luftë të sukesshme kur këto
trillime, pasi i ka dëbuar nga dera, janë përpjekur të hynë nga dritarja të
veshura me petkun modern. “ [17]

Ndërsa, për vlerësimin e letërsisë shqipe, me kritere të
reja ideologjike, duke përjashtuar armiqtë e identifikuar, pra Tjetrin, Kadareja
shkruan kështu:

“Le të kujtojmë disa fakte nga
historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe
dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për
të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues
i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare,
hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij
letrari prift. (…)Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i
pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës
sonë.” [18]

Meqë u huazuan
disa citate të gjata nga traktati i Kadaresë, këto na mundësojnë që të kuptojmë
më në plotni edhe poetikën e veprës letrare të tij, e cila me siguri që është
shkruar në pajtim me këto koncepte ideo-teorike, jo vetëm gjatë viteve gashtëdhjetë
e shtatëdhjetë, po edhe më vonë. Ajo që është poashtu e sigurt është se Ismail
Kadareja me veprën letrare të shkruar gjatë viteve gjashtëdhejtë dhe shtatëdhjetë,
bashkë me traktatin mbi realizmin socialist, u imponua si autoritet, si
shkrimtari kryesor i letërsisë shqipe të periudhës.  Edhe vepra e tij letrare e edhe traktati, me
frymën antiperëndimore dhe antimoderniste, u bënë orientues për shkrimtarët e
tjerë më të rinj, të cilët e vazhduan frymën e realizmit socialist, duke synuar
të arrinin sukseset e Kadaresë.  Pra, u bë
model i brezave që erdhën pas tij. Prandaj letërsia shqipe u vërshua nga veprat
letrare me tone ksenofobike, kundër të huajve, kundër botës kapitaliste, kundër
besimeve fetare, kundër gjithë dynjasë, përveç marksizëm –leninizmit. Po të
lexohen sot disa nga veprat poetike të Xhevahir Spahiut, Dritëro Agollit, Fatos
Arapit, Moikom Zeqos, kundër besimeve fetare e kundër Zotit, fjala vjen, njeriu
thjesht e ka zor ta besojë se janë prodhim i mendjes së njeriut. Ato janë shpërthime
iracionale të urrejtjes ndaj Zotit, ndaj besimeve e besimtarëve, ndaj librave të
shenjtë e profetëve.[19]

Pra, realizmi
socialist me tharmin zhdanovst, injektoi në mendjen e brezave të shqiptarëve
urrejtje ndaj botës perëndimore, duke e paraqitur si botë të kalbur e të pamoralshme,
urrejtje ndaj besimeve fetare, ndaj kundërshtarëve ideologjikë e politikë, ndaj
fqinjve dhe kujtdo që nuk i përkiste taborrit marksist-leninist. 

Për injektimin e
urrejtjes ndaj kundërshtarëve ideologjikë, si model mund të mbahet posaçërisht
poema e Shefqet Musarajt “Epopeja e ballit kombëtar”, gjithsesi një metaforë e urrejtjes
ideologjike që ka prodhuar realizmi socialist në letërsinë tonë.  Kjo lloj letërsie ishte parullë, propagandë.
Pra, shkrimtarët shqiptarë të realizmit socialist propagandonin stereotipet
zyrtare ideologjike dhe i aplaudonin diskursit dominant politik, ideologjik e
propagandistik, duke e shndërruar letërsinë në shtojcë e tyre. Edhe figura e
Tjetrit, pra e të huajit – armikut, qoftë sipas përkatësisë etnike, qoftë asaj
fetare, ideologjike, klasore, etj., është përdorur për ta justifikuar politikën
izolacioniste të regjimit, ksenofobinë dhe racizmin me prejardhje ideologjike.

Prandaj,
injektimi i urrejtjes ndaj Tjetrit brenda kombit për shkak dallimesh fetare e
ideologjike dhe ksenofobisë nëpërmjet letërsisë së realizmit socialist, ka
prodhuar trauma shtesë të shqiptarëve në kohën kur kanë dalë nga izolimi dhe
janë takuar me “armiqtë” imagjinarë. Imazhet groteske për ta dhe armiq të tjerë
ideologjikë, ende janë aktive dhe nuk do të zhduken deri sa të bëhet një
rivlerësim kritik i kësaj letërsie dhe në instancë të fundit një dekontaminim
me vlerësime mirëfilli estetike i gjithë mësimeve për letërsinë edhe në arsimin
publik.               

Sa i përket letërsisë shqipe në Kosovë, edhe këtu fillet e
frymës së realizmit socialist duhet të kërkohen në tekstet e këngëve partizane.
Ato këngë ishin një përzierje edhe mes këngëve partizane shqiptare dhe këngëve
partizane jugosllave.

Ndërsa, letërsia shqipe në Kosovë filloi të shkruhej pas
instalimit të regjimit komunist jugosllav, me vështirësi e me vonesë dhe në fakt
filloi si letërsi e realizmit socialist.  Por, kjo doktrinë si doktrinë zyrtare, qe jetëshkurtër
në ish Jugosllavinë komuniste. Që në Kongresin e dytë të shkrimtarëve jugosllavë
në Zagreb, në vitin 1949,  u kërkua
eliminimi i realizmit socialist si doktrinë zyrtare, gjë që faktikisht u arritë
në vitin 1952 në Kongresin e tretë të shkrimtarëve jugosllavë, që u mbajt në
Lubjanë, duke pasur si platformë fjalimin e Mirosllav Kërlezhës në atë kongres.
Mirëpo, jehona e atij vendimi arriti me vonesë në Kosovë, sepse në vitin 1953,
pra, një vit pas kongresit të tretë, u botua romani i parë në gjuhën shqipe,
“Rrushi ka nisë me u pjekë”, një pamflet-roman tipik i realizmit socialist.
Edhe vetë historia e këtij romani është absurde. * Shkrimtarë të tjerë të kësaj
rryme ishin edhe Esad Mekuli e Hivzi Sulejmani. Ky i fundit, sipas dëshmisë së
lënë nga Vehap Shita,[20]
romanet “Fëmijët e lumit tem” dhe “Njerëzit”, si edhe tregimet për të rritur, i
ka shkruar serbisht, ndërsa ato pastaj janë përkthyer nga miqtë e tij, për botim
premierë në gjuhën shqipe. Prandaj, nëse aplikohet kriteri gjuhësor për
statusin e letërsisë shqipe, këto vepra vetëm kondicionalisht mund të numërohen
si pjesë e letërsisë shqipe. Në këso konditash, ndikimi i veprave të shkrimtarëve
që shkruan në hullinë e realizmit socialist në Kosovë, nuk ishte i vërejtshëm.

Dëmi do të shfaqet me vonë, kur do të fillonin të vinin
veprat e realizmit socialist nga Shqipëria, të maskuara nën formën e kombëtarizmit.
Deformimi ideologjik që u injektua edhe prej kësaj letërsie, ndonëse jo vetëm prej
saj, duhet të studiohet në historinë politike të Kosovës më shumë se sa në historinë
e letërsisë shqipe të Kosovës. Sigurisht edhe ky është një nga absurditetet që
ka prodhuar realizmi socialist, ndonëse është në pajtim me atë që u tha në
fillim, se kjo lloj letërsie synonte të impononte diktatin ideologjik. Në këtë
aspekt, nuk dihet ende se a ka qenë suksesi i realizmit socialist më domethënës
në deformimin estetik në Shqipëri, apo në indoktrinmin ideologjik në Kosovë.  

BIBLIOGRAFIA

Beker, Miroslav, Povijest knjizevnih teorija, Zagreb,
1979

Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare,
Dukagjini, Tiranë-Pejë, 1997

Eko, Umberto, për letërsinë, Dituria, Tiranë, 2007

Çesllav, Millosh, Mendja e robëruar, Shtëpia e Librit
“Dritëro”, Tiranë, 1998

Historia e letërsisë shqiptare, Rilindja, Prishtinë,1989

Jakobson, Roman, Ogledi iz poetike, Beograd, Prosveta,
1978

Jaus, Robert Hans, Estetika recepcije, Nolit, Beograd,
1978

Kadare, Ismail, Gjenerali i ushtrisë së vdekur,
Rilindja, Prishtinë, 1980

Kadare Ismail, Buzëqeshje mbi botë, Rilindja, Prishtinë,
1980

Kadare, Ismail, Realizmi socialist – arti i madh
i revolucionit”,
‘Zëri i Popullit”,13 janar 1974,

Marks, Engels, Mbi letërsinë dhe artin, 8 nëntori,
Tiranë, 1976

Markjevic, Henrik, Nauka o knjizevnosit, Beograd, 1974

Merxhani, Branko, Vepra, Plejad, Tiranë 2003

Krasniqi, Milazim, Soneti në poezinë shqipe, PEN,
Prishtinë, 2005

Krasniqi, Milazim, Letërsia dhe besimet fetare, Logos
A, Shkup, 2012

Petrovic, Steten, Marksizam i knjizevnost
(hrestomacija), Beograd, 1983

Mukarzovski, Jan, Struktura, funkcija, znak, vrednost,
Nolit, Beograd, 1987

Recnik knjizevnih termina, Nolit, Beograd, 1986

Todorov, Cvetan, Poetika e prozës, Panteon, Shtëpia e
Librit, Tiranë, 2000

Shkreb, Stamac, Uvod u knjizevnost, Graficki zavod
Hrvatske, 1983

Velek, Rene, Voren Ostin, Teoria e letërsisë,
Rilindja, Prishtinë, 1982


[1] Recnik knjizevnih termina, Nolit, Beograd, 1986, str. 742-743 dhe
Socijalisticki realizam, Leksikografski zavod “Miroslav Krleza”, Zagreb (
google, 22. 08. 2016)

[2] Po aty

[3] Çeslav Millosh, Mendje e robëruar, Botimet Dritero, Tiranë, 1998

[4] Për më shumë shih: Milazim Krasniqi, Soneti në poezinë shqipe (
kapitullin Soneti në periudhen e realizmit socialist dhe të disisdencës, PEN,
Prishtinë, 2005, f. 165

[5] Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini,
Tiranë-Pejë, 1997, fq. 377-378

[6] Po aty, fq. 380

[7] Në kapitullin III, Ketmani, 
të librit “Mendje e robëruar” Çeslav Milloshi ka  shpërfaqur thyerjen morale dhe estetike,  deformimin e mendjes së shkrimtarit në
“demokracine popullore”- diktaturën komuniste, 
me një mprehtësi të rrallë. Shkrimtari për ta fshehur veten, shndërrohet
në aktor, për t’i fshehur idetë e veta përdor metodën e vjetër të shizmës,
Ketmanin.  Milloshi e ka njohur edhe
realisht atë gjendje, sepse një kohë ka jetuar në Poloni, në kohën kur u
instalua diktatura komuniste dhe realizmi socialist si doktrinë.

[8] Romanet “Çlirimtarët” i Dhimitër Shuteriqit, “Para agimit” i
Shefqet Musarajt,  “Një vjeshtë me stuhi”
dhe “Tri ngjyra të kohës” të Ali Abdihoxhes, etj, kishin për temmatikë luftën
nacionalçlirimtare dhe rolin e partizanëve e komunistëve në çlirimin e
Shqipërisë dhe fillimin e transformimit revolucionar të saj.

[9] Këto stereotipe janë përdorur shumë në kinematografinë e realizmit
socialsit, e cila shumë herë e ka pasur burimin te letërsia ose te skenarët e
shkruar enkas nga shkrimtarët e realizmit socialist.

[10] Gjatë shkollimit universitar mësimi normativ për ne ka qenë që
letërsia e viteve 60 e shkrimtarëve Kadare, Agolli e Arapi, ishte një proces
letrar që quhej novatorizëm dhe paraqiste 
shkëputje nga rryma e realizmit socialist.  Ndërsa, Ismail Kadare në traktatin e tij,
“Realizmi socialist-arti i madh i revolucionit”, pikërisht realizmin socalist e
quante novatorizëm: “ Realizmi socialist ka një forcë të tillë të brendshme sa
që është në gjendje të shtjellojë në gjirin e tij të gjitha temat, duke filluar
nga revolucioni proletar e gjer në legjendat më të thella të shekujve. Ai është
në gjendje ta rishikojë dhe ta rishpjegojë artistikisht gjithë botën, që nga
rrethimi i Trojës e gjer në rrethimin imperialisto – revisionist. Këtë aftësi
të re ndricuese ja jep atij vetë revolucioni. Dhe pikërisht këtu qëndron esenca
e novatorizmit të tij të madh.”    

[11] Glorifikimi i varfërisë dhe i vetizolimit në poemën “Përse mendohen
këto male” është i pashembullt në letërsi. Dhe logjikisht i pakuptueshëm.

[12] Ismail Kadare, Buzëqeshje mbi botë, Rilindja, Prishtinë, 1980, fq.
41)

[13] Ismail Kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Rilindja, Prishtinë,
1980, fq. 21

[14] Po aty, fq 21

[15] Po aty, fq. 41-42

[16] Ismail Kadare, Realizmi socialist-arti i madh i revolucionit, Zëri
i popullit, Tiranë, 1974 (tekst I fotokopjuar)  

[17] Po aty

[18] Po aty

[19] Për më shumë shih: nënkapitullin, “Realizmi socialist si prodhues i
përfytyrimeve ekstreme antifetare në letërsinë shqipe”(242-254)  në librin tonë “Letërsia dhe besimet fetare.”

[20] Dëshmi e lënë nga Vehap Shita, në një takim me një grup shkrimtarësh
në ambientet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1990.

NA NDIQ NË FACEBOOK