Kosovë
Pushohet nga puna polici që vrau Rayshard Brooksin, kamerat tregonin se çka po flisnin sekonda para gjëmës

Zyrtarët policorë nga Atlanta të përfshirë në gjuajtjen fatale me armë të Rayshard Brooksit pas një konfrontimi në një parking janë identifikuar dhe inçizimet nga kamerat trupore tashmë janë lëshuar, pasi incidenti shokoi mbarë qytetin dhe shtoi tensionin e protestave që çuan në shkatërrimin e një restoranti.
Zyrtari Garreth Rolfe është pushuar nga puna pasi kishte gjuajtur dhe e kishte vrarë Brooksin të premten mbrëma.
Edhe hetuesi tjetër me emrin Devin Bronsan, që kishte qenë i pranishëm por nuk kishte gjuajtur, ka marrë dënim duke iu dhënë pushim administrativ deri në përfundimin e hetimeve, shkruan DailyMail, përkthen Periskopi.
Kjo vrasje çoi në dorëheqjen e Shefes së Policisë të Atlantas, Erika Shields, dhe restoranti ku ishte qëlluar Brooks u kaplua nga flakët.
Ndërkohë, edhe kamerat trupore janë lëshuar dhe shfaqin dy oficerët duke biseduar para se të qëllonin Brooksin.
Brooks duket se ishte i intoksikuar pasi nuk ishte i aftë që të identifikonte qytetin në të cilin ishte.
Siç shfaqin kamerat trupore, Brooks bashkëpunon me policët fillimisht, duke u pajtuar që të kontrollohej se mos kishte armë dhe të kryente testin e alkoolit.
Kur iu bë testimi, oficeri Rolfe i thotë Brooksit se ai nuk ishte i aftë t’i grahte veturës së tij dhe se duhej që ta arrestonin. Ndërsa oficerët fillojnë t’i vënë prangat, Brooks më pas reziston.
Pak gjëra të tjera shihen në këtë ndërveprim, por oficerët dëgjohen duke bërtitur “mos rezisto, mos rezisto,” dhe tri të shtëna dëgjohen pak sekonda më vonë. /Periskopi





















