Kosovë
Punëtorët e RTK-së i shkojnë në zyre Avdullah Hotit dhe i flasin për problemet e transmetuesit publik

Sindikata e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar për takimin që ka pasur sot me kryeministrin e vendit, Avdullah Hotin.
Aty janë përmendur disa prej problemeve tashmë të përsëritura të këtij mediumi, e që ishin “mosmiratimi i ligjit të RTK-së, çështja e financimit të pavarur, mungesa e pronës dhe objekteve tjera, po ashtu edhe moskompletimi i Bordit të RTK-së.”
Sipas komunikatës së ndarë për media, kryeministri Hoti ka shprehur mirëkuptimin e tij për këto telashe dhe është zotuar se do t’i adresojë ato, përcjell Periskopi.
“Sindikata e njoftoi kryeministrin edhe për punën e madhe që po bëjnë kolegët tanë në RTK, e me theks të veçantë raportimin profesional e korrekt edhe në kohën e pandemisë, pavarësisht faktit dhe kushteve jo të mira që ka Mediumi Publik.” – shkruhet më tej.
Statusi i plotë:
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së Kryesia e SPERTK-së Njoftim Kryesia e Sindikatës, në përbërje Gëzim Bimbashi – kryetar, Alketa Gashi-Fazliu – anëtare, Fejsal Shasivari – nënkryetar dhe Blerim Ruhani – anëtar, sot janë pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. SPERTK e ka njoftuar kryeministrin për problemet me të cilat po ballafaqohet Mediumi Publik në vend, si mosmiratimi i ligjit të RTK-së, çështja e financimit të pavarur, mungesa e pronës dhe objekteve të reja, po ashtu edhe mos-kompletimi i Bordit të RTK-së.
Ndërsa, Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se së shpejti do të adresohen çështjet dhe problemet me të cilat po përballet ky medium publik.
Sipas Kryeministrit Hoti, është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë institucion publik, i cili është në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Sindikata e njoftoi kryeministrin edhe për punën e madhe që po bëjnë kolegët tanë në RTK, e me theks të veçantë raportimin profesional e korrekt edhe në kohën e pandemisë, pavarësisht faktit dhe kushteve jo të mira që ka Mediumi Publik.
Me respekt, Kryesia e SPERTK-së Prishtinë, 30.06.2020






















