Kosovë
Pse fjala “koti” është fyerje personale e familjare ndaj kryeministrit Hoti?

Deputetët e Vetëvendosjes kanë zgjedhur që në seancën e sotme ku duhej të votoheshin marrëveshje financiare me institucione ndërkombëtare të flasin në mënyrë joparlamentare. Ata kanë përsëritur ofendimin ndaj Qeverisë Hoti duke e quajtur “Qeveria Koti”.
Ky ofendim u përsërit nga deputetët Artan Abrashi, Rexhep Selimi, Dimal Basha dhe Arbër Rexhaj.
Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka kërkuar përjashtimin e deputetëve që kanë bërë një fyerje të tillë, shkruan Periskopi.
Fjalori i Gjuhës Shqipe jep këto kuptime për këtë fjalë:
KOT ndajf.
- Pa dobi, pa ndonjë përfitim; pa ndonjë përfundim të mirë, pa nxjerrë gjë në krye. Punonte (mundohej) kot. U lodh kot. Flet kot. Është kot. Më kot.
- Pa bërë asgjë, pa bërë asnjë punë të dobishme; pa punë. Rri kot. E shkon kohën kot. Sillej kot. E hante bukën kot.
- Pa ndonjë qëllim a synim të caktuar; pa drejtim të caktuar. Kot e kot. Rronte kot. Erdhi (shkoi) kot. Pyeti kot. E bëri kot. Dola kot. Ecën kot. Gjuaj kot.
- Pa ndonjë shkak a arsye të rëndësishme. Kot së koti. Qesh (qan, grindet) kot. Mërzitet (hidhërohet, inatoset) kot. I bërtiti kot. E rrahu kot. Jo më kot thonë se.. .
- Humbur, pa i vlejtur askujt, dëm. I shkoi (i vajti) puna (djersa, mundimi) kot. I prishi të hollat kot. Gruri (duhani, misri) të mos shkojë kot.
- Në erë, në tym, kuturu; pa kuptim. Kot më kot. Ia këputi kot. Flet kot (i sëmuri) flet përçart.
- bised. Përd. mb. vet. f. sipas kuptimeve 1, 3, 6 të ndajfoljes. Punë kote. Jetë kote. Fjalë (llafe) kote. Lëvizje kote.
Por, pse ky është në të vërtetë një ofendim shumë serioze që prek bazat personale e familjare?
Koti nuk do të përbënte ofendim sikur mbiemri i kryeministrit të ishte Haradinaj apo Kurti. Por, mbiemri i kryeministrit është Hoti (Avdullah Hoti) dhe jep tingullin e njëjtë sikurse ndajfolja “koti”.
Kjo fyen personalitetin dhe duke qenë edhe mbiemër fyen edhe të gjithë personat të cilat mbajnë mbiemrin si kryeministër. /Periskopi






















