Kosovë
Pasi u hodh në erë zyra ndërlidhëse me Korenë e Jugut, Korea e Veriut planifikon të dërgojë trupa në zonën e demilitarizuar

Korea e Veriut e ka shkatërruar një zyre ndërlidhëse të vendosur për të përmirësuar komunikimin me Korenë e Jugut pasi kjo e fundit u akuzua se po hidhte pamflete me propagandë anti-Pyongyangut përgjatë kufirit tepër të armatosur.
Ministria e bashkimit të Koresë së Jugut tha se Korea e Veriut e kishte vendosur një eksploziv në zyren ndërlidhëse rreth orës 2.49 të ditës, në qytetin kufitar koreano-verior të Kaeesongut. Raportimet, nga agjencia e lajmeve Yonhan, kanë shtuar se burimet ushtarake kishin dëgjuar eksplodimin dhe kishin parë tymin që dilte nga ndërtesa.
Korea e Veriut ka konfirmuar në një deklaratë se një “tragjikisht ishte shkatërruar” zyra nga një “eksplodim tmerrues”. Aty thuhej se shkatërrimi i ndërtesës erdhi në kohën e “ndërprerjes së komunikimeve në linjat ndërlidhëse mes Veriut dhe Jugut”, përcjell Periskopi nga The Guardian.
Ky veprim reflektonte “qëllimin e njerëzve të zemëruar që me forcë të hiqnin llumin njerëzor, dhe ata që kanë strehuar llumin për të paguar shtrenjtë për krimet e tyre,” thuhet në këtë deklaratë.
Korea e Veriut duket se ka vepruar nën urdhërat e Kim Yo-jongut, motrës së diktatorit Kim Jong-un që ka marrë pushtet të konsiderueshëm në Korenë Veriore.
“Jo shumë kohë do të kalojë, kur një skenë tragjikë do të shihet në zyren ndërlidhëse të papërdorshme mes Veriut dhe Jugut,” tha ajo ditën e shtunë.
Zyra ishte hapur në shtatorin e vitit 2018 për të lehtësuar bashkëpunimin ndër-korean pas bisedimeve të suksesshme mes Kim Jong-unit dhe presidentit koreano-jugor Moon Jae-in.
Ndërkohë që sot në mëngjes, Pyongyangu ka paralajmëruar se ishte “plotësisht gati” të dërgonte trupa në zonën e demilitarizuar që e ndan nga Korea e Jugut nëse defektorët vazhdojnë me planet e tyre për të shpërndarë pamfletet. /Periskopi






















